ShBA-ja e paralajmëron Korenë Veriore: Po i përdore armët bërthamore, përfundon regjimi
Koreja Veriore hodhi dy raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi drejt detit të premten përderisa ushtria e Shteteve të Bashkuara e paralajmëroi këtë shtet se përdorimi i armëve bërthamore do të rezultojë në fundin e atij regjimi.
Ushtria e Koresë Jugore vërejti dy lëshime raketash nga bregdeti lindor i fqinjit verior në mesditën e së premtes, thuhet në deklaratën e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë së Koresë së Jugut. Ky shtab tha se të dyja raketat fluturuan rreth 230 kilometra me lartësi maksimale prej 24 kilometrash, raporton agjencia “Associated Press”.
Në deklaratë thuhet se Koreja Jugore e dënon fuqishëm lëshimin e këtyre raketave, duke e quajtur “provokim të rëndë”, që e minon paqen rajonale dhe që i shkel rezolutat e Këshillit të Sigurimit që ndalojnë çfarëdo aktiviteti balistik nga Koreja Veriore.
Komanda e Indo-Paqësorit e ushtrisë amerikane tha se lëshimi i këtyre raketave e vuri në pah ndikimin destabilizues të armëve bërthamore ilegale dhe programeve të raketave balistike të Koresë Veriore. Edhe Ministria e Mbrojtjes e Japonisë tha se e ka vërejtur lëshimin e raketave dhe se lloji i raketave të përdorura dhe informatat e fluturimit të tyre ende janë duke u analizuar.
Ministria e Jashtme e Koresë Jugore tha se i dërguari i saj bërthamor ka zhvilluar biseda telefonike me homologët nga ShBA-ja dhe Japonia pak pas hedhjes së raketave nga Koreja Veriore. Kjo ministri tha se të tre zyrtarët u pajtuan që ta fuqizojnë bashkërendimin trepalësh sa i përket Koresë Veriore dhe i përsëritën thirrjet e tyre që ky shtet t’i ndërpresë testimet e armëve dhe të kthehet në bisedime.
Në raportin e Strategjisë për Mbrojtje Kombëtare, të lëshuar të enjten nga Pentagoni, thuhet se çfarëdo sulmi bërthamor nga Koreja Veriore kundër Shteteve të Bashkuara ose aleatëve e partnerëve të tyre “do të rezultojë në fundin e atij regjimi.”
“Nuk ka skenar në të cilin regjimi i Kimit do të mund të përdorte armë bërthamore e të mbijetonte”, thuhet në raport. Pentagoni tha se do të vazhdojë që t’i parandalojë sulmet e Koresë Veriore përmes “qëndrimit përpara”, përfshirë parandalimin bërthamor, sistemet e integruara mbrojtëse ajrore e raketore dhe bashkërendimin e ngushtë dhe ndërveprimin me Korenë Jugore.
Gjatë një vizite në Tokio të martën, nënsekretarja e Shtetit e ShBA-së, Wendy Sherman, deklaroi se Shtetet e Bashkuara do t’i përdornin plotësisht aftësitë ushtarake, “përfshirë ato bërthamore”, për t’i mbrojtur vendet aleate, Korenë Jugore dhe Japoninë.
Muajin e kaluar, Ministria e Mbrojtjes e Koresë Jugore e paralajmëroi Korenë Veriore se përdorimi i armëve bërthamore do ta vendoste këtë shtet “në rrugën e vetëshkatërrimit”./Nacionale

