ShBA-ja thotë se do të reagojë fuqishëm, nëse Koreja Veriore kryen test bërthamor
Nënsekretarja e Shtetit e ShBA-së, Wendy Sherman, tha të martën se do të ketë përgjigje të fuqishme dhe të qartë nga Shtetet e Bashkuara, Koreja Jugore dhe bota, nëse Koreja Veriore kryen test bërthamor.
Reuters
“Çfarëdo testi bërthamor do të ishte shkelje e plotë e rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, do të kishte kundërpërgjigje të shpejtë e të fuqishme ndaj një testi të tillë... Unë besoj se jo vetëm Koreja Jugore, Shtetet e Bashkuara e Japonia, por e tërë bota do të përgjigjet në mënyrë të fuqishme e të qartë”, tha ajo pas takimit me homologun nga Koreja Jugore, Cho Hyun-dong, në Seul.
“Ne jemi të përgatitur dhe... do ta vazhdojmë diskutimin tonë trepalësh (me Korenë Jugore dhe Japoninë) nesër”, shtoi zyrtarja e lartë amerikane.
Deklarata e saj erdhi pas hedhjes së tetë raketave nga forcat e Koresë së Jugut e ShBA-së të hënën herët afër bregdetit lindor të Koresë Jugore si kundërpërgjigje ndaj një grumbulli raketash balistike me rreze të shkurtër, të hedhura të dielën nga Koreja Veriore.
Autoritetet qeveritare të ShBA-së e Koresë Jugore si dhe ekspertët e Koresë Veriore kanë thënë se ka shenja të një ndërtimi të ri në “Punggye-ri”, zona e vetme për testime bërthamore të këtij shteti, dhe se Pjongiangu mund të testojë një bombë së shpejti. Koreja Veriore nuk ka testuar bombë bërthamore nga viti 2017.
Koreja Veriore është përballur me përhapjen e parë të koronavirusit muajin e kaluar. Autoritetet atje kanë raportuar për gati 4 milionë e 200 mijë njerëz me simptoma të temperaturës e etheve deri të hënën. Koreja Veriore nuk e ka konfirmuar numrin e përgjithshëm të të infektuarve, ndërsa ekspertët thonë se shifrat zyrtare mund të jenë minimizuar.
Deri më tani, ky shtet i ka refuzuar ndihmat e ofruara nga Shtetet e Bashkuara dhe Koreja Jugore, edhe pse Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se situata me Covid-19 atje është duke u përkeqësuar./Nacionale