Presidenti i Brazilit i kundërpërgjigjet kërcënimit të Trumpit me taksa ndaj BRICS-it: Nuk duam perandor - NACIONALE

Presidenti i Brazilit i kundërpërgjigjet kërcënimit të Trumpit me taksa ndaj BRICS-it: Nuk duam perandor

1 vit më parë

nga NACIONALE

Shtetet në zhvillim në samitin e grupit BRICS të hënën kundërshtuan një akuzë të presidentit amerikan, Donald Trump, se ato janë “antiamerikane”. Presidenti i Brazilit tha se bota nuk ka nevojë për një perandor, pasi kreu i Shtëpisë së Bardhë kërcënoi me taksa shtesë ndaj këtij blloku.

Kërcënimi i Trumpit të dielën në mbrëmje erdhi në kohën kur qeveria amerikane po përgatitej për të finalizuar dhjetëra marrëveshje tregtare me disa shtete para afatit të vendosur nga ai për datën 9 korrik për zbatimin e “taksave hakmarrëse” të konsiderueshme, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Administrata e Trumpit nuk synon që të vendosë taksë shtesë prej 10 për qind kundër shteteve të BRICS-it, siç ka kërcënuar, por do ta çojë përpara planin, nëse shtetet veç e veç ndërmarrin politika që administrata e tij i vlerëson si “antiamerikane”, sipas një burimi të afërt me çështjen.

Në fund të samitit të vendeve të grupit BRICS që u mbajt në Rio de Janeiro, presidenti i Brazilit, Luiz Inacio Lula da Silva, kur u pyet nga gazetarët për kërcënimin e Trumpit me taksa, tha: “Bota ka ndryshuar. Ne nuk duam një perandor.”

“Ky është një grup shtetesh që dëshiron të gjejë një mënyrë tjetër të organizimit të botës nga pikëpamja ekonomike. Mendoj se kjo është arsyeja pse BRICS-i po i bën njerëzit të mos ndihen rehat” – shtoi ai.

Në shkurt të këtij viti, Trumpi kishte paralajmëruar se vendet e BRICS-it do të ballafaqoheshin me taksë 100 për qind, nëse ato do të mundoheshin që ta minonin rolin e dollarit amerikan në tregtinë globale. Presidenca braziliane e BRICS-it tashmë ishte sprapsur nga përpjekjet për ta çuar përpara planin për valutë të përbashkët të shteteve të këtij grupi, e cila ishte propozuar nga disa vende anëtare vitin e kaluar.

Megjithatë, presidenti brazilian e përsëriti pikëpamjen e tij të hënën se tregtia globale ka nevojë për alternativa në raport me dollarin amerikan.

“Bota duhet të gjejë një mënyrë që marrëdhëniet tonat tregtare të mos jenë të detyruara që të kalojnë nëpër dollarin” – tha Lula para gazetarëve në fund të samitit të BRICS-it në Rio de Janeiro./Nacionale

Lajme të ngjashme