Portugalia i miraton kufizimet ndaj fëmijëve sa i përket qasjes në rrjete sociale
Kuvendi i Portugalisë të enjten miratoi në lexim të parë një projektligj me të cilin kërkohet pëlqimi eksplicit i prindërve që fëmijët e moshës 13 deri 16-vjeçare të kenë qasje në rrjete sociale, në njërën nga lëvizjet e para konkrete legjislative në Evropë për vendosjen e kufizimeve të tilla.
Autorët e draft-ligjit nga Partia Socialdemokrate në pushtet argumentojnë se masat e tilla janë të nevojshme për t’i mbrojtur fëmijët nga ngacmimi kibernetik, përmbajtja e dëmshme dhe personat grabitës, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Një sistem i njohur si Çelësi Mobil Digjital do të përdoret nga prindërit për ta dhënë pëlqimin, gjithashtu duke ndihmuar në zbatimin e ndalimit ekzistues për qasjen në rrjete sociale, platforma për shpërndarjen e fotografive dhe videove si dhe bastet në internet për fëmijët nën moshën 13-vjeçare.
Projektligji ende ka kohë për t’u modifikuar para votimit përfundimtar.
Dhoma e ulët e Kuvendit të Francës muajin e kaluar e mbështeti legjislacionin për ndalimin e përdorimit të rrjeteve sociale nga fëmijët nën moshën 15-vjeçare, në kohën e shtimit të shqetësimit për ngacmimet në internet dhe rrezikun ndaj shëndetit mendor.
Në Australi, në dhjetor hyri në fuqi ligji i parë në botë për ndalimin e platformave të rrjeteve sociale për fëmijët nën moshën 16-vjeçare. Këtu përfshihen rrjetet e njohura, “Facebook”, “Snapchat”, “TikTok” dhe “YouTube”.