Polonia kërkon 1.3 trilion dollarë dëmshpërblime lufte nga Gjermania
Politikani më i lartë i Polonisë tha të enjten se qeveria do të kërkojë rreth 1.3 trilion dollarë dëmshpërblime nga Gjermania për pushtimin e vendit të tij nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Associated Press raporton se, Jaroslaw Kaczynski, kreu i partisë Ligj dhe Drejtësi, njoftoi kërkesën në publikimin e një raporti të shumëpritur mbi koston e vendit gjatë viteve të pushtimit nazist gjerman, në kohën e shënimit të 83-vjetorit që nga fillimi i Luftës së Dytë Botërore.
“Ne jo vetëm që përgatitëm raportin, por kemi marrë edhe vendimin për hapat e mëtejshëm”, tha Kaczynski gjatë prezantimit të raportit.
"Ne do t'i drejtohemi Gjermanisë për të hapur negociatat për reparacionet," tha Kaczynski, duke shtuar se do të jetë një "rrugë e gjatë dhe jo e lehtë", por "një ditë do të sjellë sukses".
Ai këmbënguli se masa do t'i shërbente "pajtimit të vërtetë polako-gjerman" që do të bazohej në "të vërtetën", duke pretenduar se ekonomia gjermane është në gjendje të paguajë faturën.
Ndërkohë, Gjermania argumenton se kompensimi iu është paguar kombeve të Bllokut Lindor në vitet e pasluftës, ndërsa territoret e humbura të Polonisë janë kompensuar me disa nga tokat e paraluftës së Gjermanisë. Si përfundim Berlini këtë e quan një çështje të mbyllur.
Lidhur me kërkesën, ministria e Jashtme e Gjermanisë tha të enjten se qëndrimi i qeverisë mbetet "i pandryshuar" në atë që "çështja e reparacioneve është përfunduar".
Por, qeveria e krahut të djathtë të Polonisë argumenton se vendi që ishte viktima e parë e luftës nuk është kompensuar plotësisht nga Gjermania fqinje, e cila tani është një nga partnerët e saj kryesorë brenda Bashkimit Evropian.
"Gjermania kurrë nuk ka llogaritur vërtet për krimet e saj kundër Polonisë," tha Kaczynski, duke pretenduar se shumë gjermanë që kryen krime lufte jetuan pa u ndëshkuar në Gjermaninë e pas luftës.
Publikimi i raportit me tre vëllime ishte fokusi i festimeve kombëtare të përvjetorit të luftës që filloi më 1 shtator 1939, me bombardimin dhe pushtimin e Polonisë nga Gjermania naziste që u pasua nga më shumë se pesë vjet pushtim brutal.
Kreu i ekipit të raportit, ligjvënësi Arkadiusz Mularczyk, tha se ishte e pamundur të vendosej një vlerë financiare për humbjen e rreth 5.2 milionë jetëve për të cilat ai e fajësoi pushtimin gjerman, por renditi humbjet në infrastrukturë, industri, bujqësi, kulturë, dëbime në Gjermani për punë të detyruar dhe përpjekjet për t'i kthyer fëmijët polakë në gjermanë.
U bë e ditur se për këtë raport, që nga viti 2017 kanë punuar një ekip prej më shumë se 30 ekonomistësh, historianësh dhe ekspertësh të tjerë. Ndërsa publikimi i tij ka krijuar tensione mes dy vendeve.


