Hiri i të paktën 8.000 viktimave të nazizmit zbulohet në Poloni - NACIONALE

Hiri i të paktën 8.000 viktimave të nazizmit zbulohet në Poloni

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Një varr masiv me 17.5 tonë hi të kufomave është zbuluar në pjesën veriore të Polonisë, afër ish-kampit nazist të përqendrimit, Soldau.

Tomsaz Jankowski nga Instituti Kombëtar i Përkujtimit në Poloni tha se në këtë varr ndodhet hiri i të paktën 8.000 viktimave.

Mendohet se trupat ishin djegur gjatë një operacioni të nazistëve për fshehjen e shenjave të vrasjeve.

Në kampin Soldau, nazistët vranë çifutë, kundërshtarë politikë dhe pjesëtarë të elitës polake, shkruan "BBC".

Kampi i përqendrimit ishte ndërtuar më 1939 për transit, internim dhe shfarosje dhe ishte përdorur gjatë tërë periudhës së pushtimit nazist.

Besohet se deri në 30.000 njerëz janë vrarë në këtë kamp. Shkencëtarët shpresojnë se do ta bëjnë analizën e ADN-së në mbetjet e gjetura për të zbuluar më shumë të dhëna për viktimat.

Arkeologët kanë gjetur qindra shenja të rrobave, kopsave dhe gjërave të tjera, por asgjë me vlerë të lartë materiale, duke lënë të kuptohet se viktimat ishin plaçkitur para se t’u vihej flaka.

Jankowski tha se dy gropa janë gjetur afër ish-kampit Soldau, tashmë i njohur si Dzialdowo, dhe se gërmime shtesë do të kryhen për të gjetur mbetje të tjera të mundshme.

Kryeministri i Polonisë, Mateusc Morawiecki, tha të mërkurën se është përgatitur një raport me hollësi, jo vetëm për krimet naziste, por edhe me llogaritje të humbjeve financiare, të shndërruara në valutat aktuale.

Ai tha se Gjermania i ka shkaktuar dëm të pafund popullit polak dhe kurrë nuk ka paguar dëmshpërblim. Gjermania ka thënë se çështja e dëmshpërblimeve është mbyllur ligjërisht në vitet e pesëdhjeta.

Rreth gjashtë milionë polakë vdiqën gjatë Luftës së Dytë Botërore, përfshirë tre milionë çifutë. Një deputet i partisë polake në pushtet tha më 2109 se humbjet financiare mund të jenë deri në 850 miliardë dollarë.

Lajme të ngjashme