Policia e Koresë së Jugut ia bastis zyrën presidentit Yeol, ministri i dorëhequr tenton vetëvrasjen - NACIONALE

Policia e Koresë së Jugut ia bastis zyrën presidentit Yeol, ministri i dorëhequr tenton vetëvrasjen

1 vit më parë

nga NACIONALE

Policia e Koresë së Jugut të mërkurën e bastisi zyrën e presidentit Yoon Suk Yeol, ndërsa një ish-ministër u përpoq që t’ia merrte vetes jetën, thanë zyrtarët, në kohën e një hetimi që po zgjerohet rreth vendimit të aleates së ShBA-së për ta shpallur gjendjen ushtarake javën e kaluar.

Bastisja e zyrës së presidentit shënon përshkallëzim dramatik të hetimit kundër Yeolit dhe oficerëve të lartë policorë e ushtarakë rreth shpalljes së papritur të gjendjes ushtarake më 3 dhjetor, e cila e futi ekonominë e katërt më të madhe aziatike në një krizë kushtetuese, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Ish-ministri i Mbrojtjes, Kom Yong-hyun, njeri i besueshëm i presidentit, dha dorëheqje para disa ditëve. Ai bëri përpjekje për vetëvrasje duke përdorur një këmishë dhe të brendshmet në një qendër ndalimi ku është duke u mbajtur pas arrestimit të tij të dielën, tha në Kuvend një zyrtar i Ministrisë së Drejtësisë.

Ai tani është nën vëzhgim dhe jeta e tij tash për tash nuk është në rrezik, shtoi zyrtari Korean.

Yong-hyuni ka dhënë dorëheqje dhe ka kërkuar falje për rolin e tij në shpalljen e gjendjes ushtarake që zgjati pak, duke thënë se vetëm ai ishte përgjegjës.

Pak pas shpalljes së befasishme të gjendjes ushtarake natën vonë nga presidenti, deputetët, përfshirë disa të partisë së tij, votuan për të kërkuar nga Yeoli që menjëherë ta shfuqizonte këtë masë, gjë të cilën e bëri disa orë më pas.

Presidenti Yeol tani është subjekt i një hetimi penal nën dyshime për kryengritje dhe i janë ndaluar udhëtimet jashtë vendit. Sidoqoftë, ai nuk është arrestuar dhe as nuk është marrë në pyetje nga autoritetet.

Yeoli, që nuk është parë në publik nga dita e shtunë, nuk ishte i pranishëm gjatë bastisjes së zyrës së tij nga policia. Bastisja iu konfirmua agjencisë “Reuters” nga një zyrtar presidencial i shërbimit të sigurisë. Policia refuzoi që të komentonte menjëherë.

Agjencia e lajmeve “Yonhap” tha se hetuesit policorë prezantuan një urdhër bastisjeje ku specifikohej se presidenti ishte subjekti.

Oh Dong-woon, drejtor i Zyrës për Hetimin e Korrupsionit për Zyrtarë të Lartë, njëra na agjencitë që po e heton shpalljen e gjendjes ushtarake, tha se zyra e tij është “e gatshme” për ta arrestuar presidentin, nëse kërkohet./Nacionale

Lajme të ngjashme