Tentativa për gjendje ushtarake, presidentit të Koresë së Jugut i ndalohet largimi nga vendi - NACIONALE

Tentativa për gjendje ushtarake, presidentit të Koresë së Jugut i ndalohet largimi nga vendi

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidentit të Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, i është ndaluar largimi nga vendi pas përpjekjes së dështuar që ta vendoste gjendjen ushtarake, tha të hënën një zyrtar i Ministrisë së Drejtësisë, në kohën e shtimit të thirrjeve që ai të japë dorëheqje dhe në periudhën e thellimit të krizës së udhëheqësisë.

Yeol ka kërkuar falje për përpjekjen e dështuar për gjendje ushtarake dhe ka thënë se do t’ia lërë fatin e tij politik dhe ligjor partisë së tij, që është në pushtet, Partia e Fuqisë së Popullit, por nuk ka dhënë dorëheqje. Ai është bërë subjekt i një hetimi penal, sipas raportimeve të mediave lokale, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Të hënën, Ministria e Mbrojtjes tha se presidenti ende është ligjërisht komandant suprem i ushtrisë, por mbajta e kontrollit nga ai është vënë në pikëpyetje pas shtimit të pakënaqësive në mesin e oficerëve të lartë ushtarakë ndaj Yeol-it dhe partia e tij ka thënë se do të themelojë një task-forcë për ta trajtuar dorëheqjen e tij të mundshme.

Oh Dong-woon, drejtor i Zyrës për Hetimin e Korrupsionit për Zyrtarë të Lartë, tha se ai ka dhënë urdhër që presidentit Yeol t’i ndalohet udhëtimi jashtë vendit, kur u pyet në një seancë dëgjimore në Kuvend se çfarë veprimesh janë ndërmarrë kundër presidentit.

Bae Sang-up, zyrtar i Ministrisë së Drejtësisë, i tha komisionit parlamentar se vendimi për ndalimin e udhëtimeve për presidentin është ekzekutuar.

Përderisa Yeol-i i mbijetoi një mocioni mosbesimi të shtunën në Kuvend, vendimi i partisë së tij për t’ia deleguar autoritetin presidencial kryeministrit e ka zhytur aleaten kyçe të Shteteve të Bashkuara në një krizë kushtetuese.

Presidenti i ka refuzuar thirrjet, përfshirë disa nga vetë partia e tij, për të dhënë dorëheqje dhe e ardhmja e tij u duk edhe më e pasigurt gjatë fundjavës, kur agjencia e lajmeve “Yonhap” raportoi se ai ishte nën hetim penal nën dyshimin për tradhti.

Me urdhër të prokurorëve, të dielën u arrestua ish-ministri i Mbrojtjes, Kim Yong-hyun, nën dyshimin për rolin e tij në shpalljen e gjendjes ushtarake më 3 dhjetor, raportoi agjencia “Yonhap”./Nacionale

Lajme të ngjashme