Po e kërkonin trupin e një ushtari të vrarë, vdesin nga gazi i metanit 12 ushtarë turq në Irak
(E përditësuar 10:37): Ministria e Mbrojtjes Kombëtare e Turqisë njoftoi të hënën se ka shkuar në 12 numri i ushtarëve që vdiqën për shkak të ekspozimit ndaj gazit të metanit gjatë një aktiviteti të kërkimit në një shpellë në Irak.
____________
Tetë ushtarë turq vdiqën, pasi u ekspozuan ndaj gazit të metanit gjatë një operacioni të kërkimit në një shpellë në pjesën veriore të Irakut, tha të hënën Ministria e Mbrojtjes Kombëtare e Turqisë.
Në një deklaratë, kjo ministri tha se incidenti ndodhi të dielën gjatë një misioni për t’i lokalizuar mbetjet e një ushtari turk të vrarë gjatë një operacioni ushtarak kundër Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), e ndaluar me ligj nga Turqia, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Sipas gazetës turke “Hurriyet”, Ministria e Mbrojtjes Kombëtare i ka publikuar emrat e ushtarëve të vdekur dhe ka shprehur ngushëllime.
Emrat e ushtarëve të vdekur janë: Ege Akar, Abdurrahman Akdoğan, Özkan Özkanlı, Mahsun Yeşildemir, Ahmet Kuşak, Ümit Üzüm, Celattin Uyanık dhe Ahmet Gültekin.
Ushtarët po e kërkonin trupin e ushtarit Nuri Melih Bozkurt, i cili ishte vrarë gjatë një operacioni më 28 maj të vitit 2022.
Drejtori i komunikimeve, Fahrettin Altun, raportoi fillimisht për pesë ushtarë të vdekur, por numri më pas shkoi në tetë. Sipas të gjeturave fillestare, incidenti ndodhi për shkak të gazit të metanit, i cili shfaqet në mënyrë natyrale në shpellë./Nacionale