Pesë të vrarë nga bombardimet në Kherson, Zelensky: akt terrori - NACIONALE

Pesë të vrarë nga bombardimet në Kherson, Zelensky: akt terrori

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e dënoi atë që e quajti akt terrori të Rusisë, pasi të paktën pesë persona u vranë të shtunën nga një sulm në qendër të Khersonit, në Ukrainën jugore.

Ky sulm erdhi një ditë pasi Dhoma e Përfaqësuesve e dha miratimin përfundimtar për pakon 45-miliardëshe për Ukrainën, shkruan “France 24”, përcjell “Nacionale”.

Ndihmësi i presidentit ukrainas, Kyrylo Tymoshenko, tha se të paktën pesë persona janë vrarë e 20 të tjerë janë plagosur nga sulmi rus në Kherson, qytet i çliruar rishtazi, të cilin Moska pretendon se e ka aneksuar.

“Këto nuk janë objekte ushtarake”, shkroi Zelensky në Telegram, duke i përshkruar sulmet si “vrasje për hir të frikësimit dhe kënaqësisë”.

Ndërkohë një ndihmës tjetër i Zelenskyyt, Mykhailo Podolyak, ka bërë thirrje për “likuidimin” e fabrikave iraniane që prodhojnë dronë e raketa si dhe furnizuesit e tyre, pasi Kievi e ka akuzuar Teheranin se po e planifikon dërgimin e më shumë armëve në Rusi.

Duke shkruar të shtunën në Twitter, ai tha se Irani “në mënyrë flagrante e turpëron rendin e sanksioneve ndërkombëtare”, para se të bënte thirrje për shkatërrimin e fabrikave të armëve në Iran.

“Është e rëndësishme që të braktisen sanksionet jofunksionale, koncepti i rezolutave të paafta të OKB-së e të shkohet te mjetet më shkatërruese – likuidimi i fabrikave, arrestimi i furnizuesve...”- shkroi ai.

Ukraina e ka akuzuar Iranin se i ka dhuruar Rusisë 1.700 dronë të tipit “Shahed-136”, për të cilët thotë se janë përdorur për të goditur caqe në Ukrainë nga muaji shtator. Irani i mohon këto akuza.

Ndërkohë komandantët ukrainas kanë thënë se marrja e një sistemi “Patriot” për mbrojtje ajrore nga Shtetet e Bashkuara do të ofrojë fuqizim shumë të nevojshëm të përpjekjeve të tyre për t’i mbrojtur qytetet nga sulmet ruse me dronë e raketa.

Ligjvënësit amerikanë e kanë miratuar pakon e re të ndihmave për Ukrainën, e cila e ka vlerën e 45 miliardë dollarëve. Gjatë një fjalimi në Kongres, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha të mërkurën se ndihmat amerikane nuk janë bamirësi, por investim në sigurinë dhe demokracinë globale.

Lajme të ngjashme