Analizë: Vizita e Zelensky-t në ShBA lë pyetje pa përgjigje
Për presidentin Volodymyr Zelensky, vizita e tij e befasishme në Uashington këtë javë ishte sukses i qartë: ai kthehet në Evropë me zotime të reja financiare e ushtarake nga Shtetet e Bashkuara e me përkrahje nga të dyja partitë amerikane për luftën e Ukrainës me Rusinë.
Megjithatë, vizita lë edhe disa pyetje kyçe pa përgjigje, përfshirë atë se si do të evoluohet, nëse përkrahja nga Kongresi për luftën do të qëndrojë dhe – në mënyrë kritike – si do të përfundojë lufta.
Gjatë qëndrimit në Uashington, Zelensky u takua me presidentin amerikan, Joe Biden, në Shtëpinë e Bardhë dhe iu drejtua një seance të përbashkët të Kongresit të ShBA-së, ku anëtarët e përshëndetën atë me brohoritje e disa herë me duartrokitje.
Bideni njoftoi se Shtetet e Bashkuara do t’i dhurojnë Ukrainës ndihma të reja ushtarake me vlerë të 1,85 miliard dollarëve, përfshirë sistemin e mbrojtjes ajrore, “Patriot”.
Vizita u zhvillua në kohën kur Ukraina po vazhdon të pësojë sulme ajrore pothuajse të vazhdueshme nga Rusia ndaj rrjetit elektrik gjatë dimrit të ftohtë. Kievi thotë se qëllimi i këtyre sulmeve është thyerja e vullnetit të civilëve për të rezistuar.
Çfarë ndihma ushtarake do të jepen?
Në krye të listës së dëshirave të Zelenskyt për armë kanë qenë sistemet ajrore, sidomos sistemi “Patriot”, i cili është shumë efektiv kundër aeroplanëve dhe raketave balistike e atyre me vetëdrejtim.
Përderisa Bideni është pajtuar që t’i japë Ukrainës një njësi të këtij sistemi, zyrtarët thonë se një bateri e vetme “Patriot” nuk do ta ndryshojë rrjedhën e luftës.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre nuk kanë qenë të gatshme t’ia dhurojnë Ukrainës armët e tjera që i ka kërkuar. Këtu përfshihen tanket moderne të betejës dhe raketat me rreze të gjatë veprimi, të quajtura ATACMS, që kanë rreze prej 300 kilometrash dhe mund të godasin përtej vijës së frontit, por edhe brenda vetë Rusisë.
“Qëllimi i Shteteve të Bashkuara – edhe për ta përkrahur Ukrainën, edhe për t’u siguruar që ShBA-ja dhe NATO-ja të mos përfshihen në një luftë më të gjerë – do të vazhdojë ta pengojë dërgimin e llojit të armëve që Zelensky e dëshiron vërtet” – tha Rachel Rizzo nga Këshilli i Atlantikut.
Ukraina “nuk është duke kërkuar luftë të tretë botërore”- tha Bideni të mërkurën, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari për raketa ATACMS gjatë vizitës së Zelenskyt.
Rusia ka thënë se furnizimi i Ukrainës me raketa me rreze të gjatë do ta kalonte “vijën e kuqe”.
Dy zyrtarë amerikanë, duke folur në kushte anonimiteti, thanë se fokusi i Shteteve të Bashkuara tash për tash mbetet te sistemet e mbrojtjes ajrore.
Përfundimi i luftës
Vizita e Zelenskyt ofroi pak qartësi për pyetjen se si do të përfundojë lufta.
Presidenti ukrainas tha se Bideni e ka përkrahur “planin e tij 10-pikësh”, me të cilin, përpos gjërave të tjera, bëhet thirrje për tërheqjen e plotë të trupave ruse nga territori ukrainas dhe për krijimin e një tribunali special për ndjekjen penale të krimeve ruse të luftës, masa që Rusia i ka refuzuar haptazi.
“Për mua, si president, “paqe e drejtë” nuk është kompromisi për sovranitetin, lirinë dhe integritetin territorial të vendit tim, shpagimin e të gjitha dëmeve të shkaktuara nga agresioni rus”- tha Zelensky të mërkurën.
Ai më parë ka thënë se fitorja nënkupton edhe kthimin e Krimesë, të cilën Rusia e ka aneksuar në vitin 2014.
Grupi G7 i shteteve të pasura e përkrahu gjerësisht vizionin e Ukrainës për paqe në tetor, duke e përmendur nevojën për “integritet territorial”, por e shmangu përmendjen e Krimesë.
Megjithatë, Kremlini tha të mërkurën se nuk sheh mundësi për bisedime të paqes me Kievin, përcjell gazeta "Nacionale".
Edhe sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, dha një parashikim pesimist për mundësinë e përfundimit të luftës.
“Unë besoj se ballafaqimi ushtarak do të vazhdojë dhe mendoj se ende do të duhet të presim për një moment në të cilin do të jenë të mundshme bisedimet serioze për paqe. Nuk i shoh ato në horizontin e afërt”- u tha ai gazetarëve të hënën.

