Dhuratat e fëmijëve boshnjakë për Ukrainën u ngjallin kujtime prindërve - NACIONALE

Dhuratat e fëmijëve boshnjakë për Ukrainën u ngjallin kujtime prindërve

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Në shtëpi dhe shkolla të Bosnjës, fëmijët këtë dhjetor kanë përgatitur dhurata për të cilat shpresojnë se do t’u japin buzëqeshje moshatarëve të tyre që po jetojnë në luftë në Ukrainë – njësoj si dhuratat që u kishin dhënë buzëqeshje prindërve të tyre para një gjenerate.

Duke iu përgjigjur thirrjes së nisur nga një muze në Sarajevë, qindra fëmijë boshnjakë kanë mbushur kuti të vogla me rroba, lodra, bonbone dhe dhurata të tjera të thjeshta, të cilat do t’u jepen fëmijëve ukrainas për Vitin e Ri, shkruan “Associated Press”, përcjell “Nacionale”.

Për prindërit dhe mësuesit që po i ndihmojnë fëmijët për t’i zgjedhur gjërat për dhurata, kjo përvojë ka ngjallur kujtime të rralla gëzimi nga koha kur ata pranonin gjeste të tilla mirësjelljeje nga të huajt përderisa rriteshin nën frikën e vazhdueshme nga vdekja.

“Kur i tregova babait se do të përgatisim dhurata për fëmijët në Ukrainë, ai më tregoi se sa i kishin gëzuar [atë dhe shokët e tij], kur i kishin marrë ato” gjatë luftës në Bosnjë, tha Sara Nur Spahiqi përderisa ofronte ndihmë për t’i mbështjellë dhuratat për Ukrainën, që ditëve të fundit janë grumbulluar në shkollën e saj në Sarajevë.

“Shpresoj që fëmijët në Ukrainë do të jenë po aq të lumtur”- shtoi vajza 11-vjeçare.

Forcat serbe të Bosnjës e kishin rrethuar Sarajevën në fillimin e viteve nëntëdhjetë, gjatë shpërbërjes së përgjakshme të Jugosllavisë. Rreth 350 mijë njerëz ishin ngujuar, për 46 muaj, në qytetin e tyre, dhe ishin subjekt i bombardimeve të përditshme dhe sulmeve të snajperëve e pa qasje të rregullt në energji, ushqim, ujë, ilaçe e në botën e jashtme. Më shumë se 11 mijë njerëz – më shumë se gjysma civilë – ishin vrarë gjatë rrethimit. Shumë të tjerë ishin plagosur.

Përderisa shumë fëmijë në Sarajevë dhe në pjesë të tjera të Bosnjës rriten duke i dëgjuar rrëfimet e prindërve të tyre për fëmijërinë e kaluar në luftë, ata me lehtësi i kuptojnë “shokët e shoqet e panjohura” në Ukrainë, thotë edukatorja veterane, Elvira Veliq-Muftiq.

Fëmijët e shkollës fillore “Savfet Beg Basagiq” në Sarajevë, ku zonja Veliq-Muftiq punon si psikologe, duket se i vërtetojnë fjalët e saj.

“Unë besoj që marrja e këtyre dhuratave do t’i bëjë fëmijët [në Ukrainë] shumë më të gëzuar, sepse ata do të dinë se dikush po mendon për ta”- tha Asja Ibrahimoviqi, 11 vjeçe, përderisa i ndihmonte shokët e shoqet e klasës për t’i ndarë sipas madhësisë disa kuti të mbështjella bukur.

“Duhej të kishim në mendje që të zgjidhnim gjëra që mund të barten lehtë, sepse fëmijët në Ukrainë dhe familjet e tyre shpesh duhet të largohen nga shtëpitë për disa minuta pas dëgjimit të zërit të alarmit për sulm ajror për të kërkuar strehim në bodrume e në stacione nëntokësore të trenit”- thotë 11-vjeçari Tarik Kulenoviq. Ai e mbushi kutinë e vet me çokollata dhe lodra të lehta. Në dhuratat e përgatitura nga shokët e shoqet e tij kishte edhe kapele e doreza, fletore e ngjyra.

Ndihma për t’i mbushur dhuratat e fëmijëve e “dërgoi” zonjën Veliq-Muftiq në vitet nëntëdhjetë, kur ishte bërë pjesë e një përpjekjeje vendëse të vullnetarëve për të arsimuar dhjetëra mijëra fëmijë, të cilët kishin mbetur të ngujuar në Sarajevë.

“Isha në pozitën për t’ua dhënë fëmijëve të mi dhuratat e dërguara nga fëmijë të pjesëve të ndryshme të botës. Hareja në fytyrat e tyre, ndjenjat që ato dhurata i kishin shkaktuar, janë diçka që nuk mund të harrohen kurrë”- tha ajo.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme