Përmbytje të reja vdekjeprurëse në Pakistan, më shumë se 1200 persona kanë vdekur deri më tani
Më shumë se pesëdhjetë njerëz kanë vdekur nga përmbytjet e reja që kanë përfshirë Pakistanin jugor, duke e çuar numrin e të vdekurve nga përmbytjet e fundit në 1,265, thanë zyrtarët lokalë.
Dhjetëra njerëz kanë vdekur në provincën jugore të Sindhit pas shirave të dendur që goditën zonën, tha agjencia kombëtare e Pakistanit për fatkeqësitë.
Mes të vdekurve ka edhe fëmijë
Rajoni i Sindhit ishte më i godituri nga përmbytjet e shkaktuara nga shirat e dendur të musonit në mes të qershorit. Disa qytete në atë provincë tani po përballen me rreziqe të reja për shkak të përmbytjeve që po kërcënojnë sërish brigjet e lumit Indus.
Indus është lumi më i gjatë në Pakistan, që rrjedh nga Himalajet në Detin Arabik në jug. Derdhjet kanë ndodhur tashmë këtë sezon pas reshjeve të dendura që goditën zonat malore javën e kaluar. Sipas shërbimeve lokale, të paktën 15 fëmijë ishin në mesin e atyre që vdiqën në përmbytjen e fundit. Deri më tani në këtë sezon të përmbytjeve kanë humbur jetën 441 fëmijë.

Ushtria, ekipet e shpëtimit dhe vullnetarët janë ende duke evakuuar njerëzit nga fshatrat e largëta që u ndërprenë pas rritjes së nivelit të ujit, tha zëdhënësi i qeverisë provinciale Murtaza Wahab.
Disa vende, kompani globale dhe organizata bamirëse janë zotuar të dhurojnë miliona dollarë ndihmë për të ndihmuar Pakistanin të kapërcejë një nga fatkeqësitë më të mëdha natyrore që ka goditur vendin.
Ministri: Fjalë për fjalë një e treta e vendit është nën ujë
Përmbytjet e mëdha në Pakistan konsiderohen si pasojë e drejtpërdrejtë e ndryshimeve klimatike. Vendi është përgjegjës për më pak se një për qind të emetimeve globale të karbonit, por është ndër dhjetë vendet më të prekura nga pasojat e ngrohjes globale.
"Fjalë për fjalë një e treta e Pakistanit është nën ujë tani, ai ka kaluar të gjithë kufijtë, ne kurrë nuk kemi parë diçka të tillë në të kaluarën", tha ministri i klimës së Pakistanit Sherry Rehman këtë javë.
Pakistani ndodhet në një zonë që ndikohet nga dy sisteme kryesore klimatike. Njëri mund të shkaktojë temperatura të larta dhe thatësirë, si një valë të nxehti në mars, dhe tjetri sjell shira muson. Shumica e popullsisë së Pakistanit jeton përgjatë lumit Indus, i cili fryhet dhe mund të përmbytet gjatë shirave muson.

Ngrohja globale rrit temperaturat e ajrit dhe detit
Shkencëtarët tregojnë për një lidhje logjike midis ndryshimit të klimës dhe musonëve më të fortë. Gjegjësisht, ngrohja globale rrit temperaturën e ajrit dhe detit, gjë që çon në avullim më të madh. Ajri më i ngrohtë mund të mbajë më shumë lagështi, prandaj shirat e musonit janë më të bollshëm.
Përveç kësaj, Pakistani ka diçka tjetër që e bën atë të prekshëm ndaj efekteve të ndryshimeve klimatike - akullnajat e mëdha. Rajoni verior i vendit nganjëherë quhet poli i tretë sepse përmban më shumë akull akullnajore se çdo rajon tjetër në botë përveç rajoneve polare.
Ndërsa bota ngrohet, akullnajat po shkrihen. Ato në rajonet e Gilgit-Baltistanit dhe Khyber Pakhtunkhwa të Pakistanit po shkrihen me shpejtësi, duke krijuar më shumë se 3,000 liqene, sipas Programit të Zhvillimit të OKB-së. Rreth tridhjetë prej tyre janë në rrezik nga një derdhje e papritur, e cila mund të lëshojë miliona metra kub ujë dhe të vërë në rrezik shtatë milionë njerëz. /Nacionale/