Përkundër Kinës, ShBA dhe Tajvani forcojnë lidhjet me bisedime të reja tregtare
Qeveria e ShBA-së do të zhvillojë bisedime me Tajvanin për një traktat të gjerë tregtar në shenjë mbështetjeje për demokracinë e vetëqeverisur ishullore që Kina e pretendon si territorin e saj.
Njoftimi së enjtes vjen pasi Pekini ka mbajtur stërvitje ushtarake që përfshinin gjuajtjen e raketave në det për të frikësuar Tajvanin pas vizitës nga kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së Nancy Pelosi, anëtarja e nivelit më të lartë të qeverisë amerikane që ka vizituar Tajvanin në 25 vjet.
Ndërkohë, duke simuluar një përgjigje ndaj një sulmi raketor kinez, ushtria e Tajvanit mbajti të enjten një stërvitje me raketa dhe topa.
Sa u përket bisedimeve tregtare, koordinatori i presidentit Joe Biden për rajonin Indo-Paqësor, Kurt Campbell, tha se bisedimet tregtare do të "thellonin lidhjet me Tajvanin", por theksoi se politika nuk po ndryshonte.
Kujtojmë se, Shtetet e Bashkuara nuk kanë marrëdhënie diplomatike me Tajvanin, partnerin e nëntë më të madh tregtar, por mbajnë lidhje të gjera informale.
Njoftimi i Përfaqësuesit të Tregtisë së ShBA-së nuk ka përmendur tensionet me Pekinin, por tha se "negociatat formale" do të zhvillonin lidhje tregtare dhe rregullatore, një hap që do të sillte ndërveprim më të ngushtë zyrtar.
Tajvani dhe Kina u ndanë në vitin 1949 pas një lufte civile dhe nuk kanë marrëdhënie zyrtare, por janë të lidhura me miliarda dollarë tregti dhe investime. Ishulli nuk ka qenë kurrë pjesë e Republikës Popullore të Kinës, por Partia Komuniste në pushtet thotë se është e detyruar të bashkohet me kontinentin, e nëse e është e nevojshme për realizimin e bashkimit mund të përdorë edhe forcën.
Lejimi për të eksportuar më shumë në Shtetet e Bashkuara mund të ndihmojë Tajvanin të zbehë përpjekjet e Kinës për të përdorur statusin e saj si partneri më i madh tregtar i ishullit si levë politike.
Pasi, pas vizitës së Pelosit më 2 gusht, kontinenti bllokoi importet e agrumeve tajvaneze dhe ushqimeve të tjera në shenjë hakmarrjeje.
Lidhur me njoftimin e ShBA-së nuk ka pasur ende asnjë reagim nga qeveria e presidentit kinex Xi Jinping.
Marrëdhëniet ShBA-Kinë janë në nivelin e tyre më të ulët në dekada mes mosmarrëveshjeve mbi tregtinë, sigurinë, teknologjinë dhe trajtimin e Pekinit ndaj pakicave myslimane dhe Hong Kongut.