Ndëshkim për ShBA-në, Kina vendos sanksione ndaj politikanëve të Tajvanit
Në përgjigje të vizitave të njëpasnjëshme të Kongresit, të martën Kina ka vendosur ndalim vizash dhe sanksione të tjera ndaj figurave politike tajvaneze, duke rritur kështu presionin mbi ishullin vetëqeverisës dhe ShBA-në.
Sanksionet e reja vijnë një ditë pasi Kina njoftoi më shumë stërvitje ushtarake në detet dhe qiejt që rrethojnë Tajvanin për shkak të asaj që e quajti "marrëveshje dhe provokim midis ShBA-së dhe Tajvanit".
Stërvitjet u njoftuan në të njëjtën ditë që një delegacion i Kongresit të ShBA-së u takua me presidenten tajvaneze Tsai Ing-wen dhe pas një vizite të ngjashme nga Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së Nancy Pelosi, anëtarja e nivelit më të lartë të qeverisë amerikane që vizitoi Tajvanin në 25 vjet.
Kujtojmë se, qeveria kineze kundërshton që Tajvani të ketë ndonjë kontakt zyrtar me qeveritë e huaja, sepse e konsideron atë si territorin e vet.
Vizita e Pelosit u pasua nga gati dy javë stërvitje ushtarake kërcënuese kineze që përfshinin gjuajtjen e raketave mbi ishull dhe inkursione nga anijet e marinës dhe avionët luftarakë përgjatë vijës së mesit të ngushticës së Tajvanit që ka qenë prej kohësh një tampon midis palëve.
Ndërkohë, në Uashington, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të ShBA-së Ned Price u tha gazetarëve se Kina kishte reaguar tepër me "përgjigjen e saj provokuese dhe krejtësisht të panevojshme ndaj delegacionit të Kongresit që vizitoi Tajvanin në fillim të këtij muaji".
Objektivat e sanksioneve të fundit të Kinës përfshijnë ambasadorin de facto të Tajvanit në ShBA, Bi-khim Hsiao dhe ligjvënësit Ker Chien-ming, Koo Li-hsiung, Tsai Chi-chang, Chen Jiau-hua dhe Wang Ting-yu, së bashku me aktivistin Lin Fei-fan.
Sipas Zyrës së Punës së Tajvanit të Partisë Komuniste në pushtet, atyre do t'u ndalohet të udhëtojnë në territorin e Kinës, Hong Kongut dhe Makaos, si dhe të kenë ndonjë lidhje financiare ose personale me njerëz dhe subjekte në kontinent.
Ndërsa, agjencia zyrtare e lajmeve të Kinës Xinhua, tha se masat u krijuan për të "dënuar me vendosmëri ata që konsiderohen elementë të ashpër që mbështesin pavarësinë e Tajvanit”.
Kina aktualisht, nuk ushtron asnjë autoritet ligjor mbi Tajvanin dhe është e paqartë se çfarë efekti do të kenë sanksionet.
Në anën tjetër, ministria e Jashtme e Tajvanit shprehu vlerësimin e saj për vizitën më të fundit të Kongresit, duke shtuar se "Kina autoritare nuk mund të diktojë se sa bën miq, fiton mbështetje, qëndron elastik dhe shkëlqen si një fener lirie, #Tajvani demokratik”.
Kina akuzon ShBA-në për inkurajimin e pavarësisë së ishullit përmes shitjes së armëve dhe angazhimit mes politikanëve amerikanë dhe qeverisë së ishullit. Uashingtoni thotë se nuk e mbështet pavarësinë, nuk ka lidhje zyrtare diplomatike me ishullin dhe pohon se të dyja palët duhet ta zgjidhin mosmarrëveshjen e tyre në mënyrë paqësore – por është ligjërisht i detyruar të sigurojë që ishulli të mund të mbrohet nga çdo sulm.


