Përçarje serioze: Kryeministri polak e akuzon rëndë BE-në me fjalët e Putinit për NATO-n - NACIONALE

Përçarje serioze: Kryeministri polak e akuzon rëndë BE-në me fjalët e Putinit për NATO-n

1 vit më parë

nga Nasuf Abdyli

Kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki, e akuzoi Bashkimin Evropian për sjellje imperialiste ndaj shteteve më të vogla të bllokut në një opinion të publikuar të mërkurën në gazetën gjermane, “Die Welt”. Akuzë të ngjashme, por ndaj NATO-s, kishte bërë presidenti rus, Vladimir Putin, para më pak se dy muajve.

“Praktika politike ka dëshmuar se pozicionet e Gjermanisë dhe Francës peshojnë më shumë se të të gjithë të tjerëve”, shkroi kryeministri polak, duke bërë thirrje për qasje të mbështetur më shumë në konsensus.

“Pra kemi të bëjmë me një demokraci formale dhe de-fakto një oligarki në të cilën më i fuqishmi e mban pushtetin”, tha ai, duke shtuar se imperializmi i Bashkimit Evropian duhet të luftohet, siç duhet të luftohet edhe imperializmi rus.

Imperializmin si akuzë e kishte përmendur edhe presidenti rus, Vladimir Putin, në qershor të këtij viti. Gjatë një vizite në Turkmenistan, ai deklaroi: “Vendet udhëheqëse të NATO-s dëshirojnë ... që t’i shpallin hegjemoninë e tyre, ambiciet e tyre imperialiste”, tha presidenti rus.

“Thirrja që Ukraina t’i vazhdojë luftimet dhe t’i refuzojë bisedimet vetëm e konfirmon vlerësimin tonë se Ukraina dhe e mira e popullit ukrainas nuk janë qëllim i Perëndimit dhe i NATO-s, por mjet për t’i mbrojtur interesat e tyre”, shtoi Putini.

Kryeministri polak, partia nacionaliste e të cilit është përplasur vazhdimisht me Brukselin për çështje të sundimit të ligjit, tha se pushtimi rus i Ukrainës i ka vënë në pah mangësitë e BE-së, shkruan agjencia “Reuters”.

Ai bëri thirrje për “reformë të thellë që të mirën e përgjithshme dhe barazinë i kthen në ballë të parimeve të unionit”.

Politikanët e partisë në pushtet në Poloni kanë thënë se Varshava mund të hakmerret ndaj BE-së, nëse vendi nuk e merr pjesën e vet të fondeve për rimëkëmbje nga pandemia. Brukseli ka dhënë shenja se nuk është i kënaqur me reformat e Polonisë në fushën e sistemit gjyqësor.

Më shumë se 35 miliardë euro grante të rimëkëmbjes dhe hua janë pezulluar për shkak të mosmarrëveshjes mes BE-së dhe Polonisë rreth reformave në drejtësi, për të cilat Bashkimi Evropian thotë se i dëmtojnë standardet e demokracisë./Nacionale

Lajme të ngjashme