Orbán shprehet kundër diskutimit të sanksioneve të mëtejshme ndaj Rusisë - NACIONALE

Orbán shprehet kundër diskutimit të sanksioneve të mëtejshme ndaj Rusisë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Hungaria nuk do të heqë dorë nga kundërshtimi i saj ndaj embargove të BE-së ndaj naftës ruse, dhe kështu udhëheqësit e BE-së nuk duhet ta diskutojnë këtë çështje në samitin e javës së ardhshme në Bruksel, i ka thënë kryeministri Viktor Orbán presidentit të Këshillit Evropian Charles Michel të martën (24 maj).

Në javët e fundit Budapesti është shfaqur si pengesë e bllokut në masat ndëshkuese kundër Rusisë për luftën e saj në Ukrainë, duke kundërshtuar embargon ndaj naftës ruse të propozuar nga Komisioni Evropian në fillim të majit.

“Duke parë rëndësinë e çështjeve ende të hapura, ka shumë pak gjasa që një zgjidhje gjithëpërfshirëse të mund të gjendet përpara takimit të posaçëm të Këshillit Evropian më 30-31 maj”, shkroi Orbán në një letër drejtuar Michel, të hënën, raporton Euractiv.

"Jam i bindur se diskutimi i paketës së sanksioneve në nivel liderësh në mungesë të një konsensusi do të ishte kundërproduktive," ka thënë Orbán, duke shtuar se kjo do të nënvizonte ndarjet e brendshme të BE-së pa ofruar një shans realist për t'i zgjidhur ato.

Në letrën e tij, Orbán paralajmëroi gjithashtu se paketa e gjashtë e propozuar e sanksioneve të BE-së do të shkaktonte "probleme serioze të furnizimit" në Hungari dhe do të minonte interesat e saj të sigurisë së energjisë, duke sjellë rritje çmimesh dhe goditje për familjet dhe ekonominë e vendit.

Javën e kaluar, Komisioni Evropian prezantoi një plan prej 210 miliardë eurosh të quajtur REPowerEU, që synon heqjen e karburanteve fosile ruse deri në vitin 2027.

Ndërsa plani është përshëndetur nga shumica e shteteve të BE-së, tha Orbán në letrën e tij, propozimi dështoi të adresonte shqetësimet e Hungarisë sepse "nuk ka zarfe [financimi] për shtetet anëtare më të shqetësuara që nuk kanë dalje në det".

Budapesti, i cili mbështetet në naftën ruse nga një tubacion i vetëm, ka kërkuar një përjashtim nga embargoja për të paktën katër vjet dhe po kërkon 800 milionë euro fonde të BE-së për të ripërpunuar një rafineri dhe për të rritur kapacitetin e një tubacioni për në Kroaci.

Ministri i Jashtëm hungarez, Péter Szijjártó tha të hënën (23 maj) se çmimi për heqjen e naftës ruse do të kushtonte 15 deri në 18 miliardë euro për të modernizuar plotësisht infrastrukturën energjetike të Hungarisë.

“Është legjitime që hungarezët të presin një propozim” për të zbutur atë goditje, tha Szijjártó në komentet e transmetuara në faqen e tij në Facebook.

BE-ja i ka ofruar Hungarisë, së bashku me Sllovakinë dhe Republikën Çeke, përjashtime të gjata nga vendosja e embargos dhe mbetet e bllokuar në bisedimet me Budapestin për të zgjidhur ngecjen.

“Nuk ka asnjë indikacion për modalitetet dhe kohën e financimit për nevojat urgjente të investimeve në lidhje me zëvendësimin e naftës ruse”, thotë Orbán.

Megjithatë, Hungaria mbetet e përkushtuar për vazhdimin e bisedimeve, thotë kryeministri hungarez.

Komentet e Orbanit do të zhgënjejnë Brukselin dhe shtetet e tjera anëtare të Evropës Lindore, të cilat kishin bërë presion të madh për të ulur fluksin e parave evropiane për të financuar makinën luftarake të presidentit rus Vladimir Putin.

Sanksionet e BE-së kërkojnë marrëveshje unanime, mirëpo flitet se disa zyrtarë të BE-së kanë kërkuar opsione ligjore se si të anashkalojnë bllokimet e mundshme.

Një opsion i tillë përfshin shtetet anëtare të BE-së që të vendosin sanksione dypalëshe ndaj Moskës.

Megjithatë, zyrtarët e BE-së thonë se një opsion i tillë do të ishte "zgjidhja e fundit", pasi do të dëmtonte ndjenjën e unitetit që blloku dëshiron ta tregojë ndaj Moskës.

Lajme të ngjashme