Rusia fajësohet për ndërhyrje në GPS që po i prek fluturimet në Evropë - NACIONALE

Rusia fajësohet për ndërhyrje në GPS që po i prek fluturimet në Evropë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Rusia është duke u shkaktuar pengesa sistemeve të navigimit satelitor, duke prekur mijëra fluturime civile, thonë ekspertët.

Në Detin Baltik, Detin e Zi dhe në lindje të Detit Mesdhe – rajonet ku ushtria ruse ka qenë më së shumti aktive – është shënuar shtim i pengesave në Sistemin Global të Pozicionimit (GPS), raporton televizioni BBC.

Këto pengesa po i lënë aeroplanët pa qenë në gjendje që të pranojnë sinjale të sistemit GPS.

Në mars, një aeroplan në të cilin ndodhej sekretari i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar, Grant Shapps, pati bllokim të sinjalit të GPS-së gjatë fluturimit afër territorit rus.

Pengesat e vazhdueshme ndikuan që kompania ajrore finlandeze, “Finnair”, t’i pezullonte fluturimet ditore drejt qytetit të dytë më të madh të Estonisë, Tarfu, për një muaj, pasi dy prej aeroplanëve të saj u desh të ktheheshin në Helsinki për shkak të pengesave në sistemin GPS.

Aeroporti i Tartus mbështetet vetëm në GPS, ndryshe nga shumica e aeroporteve të mëdha, që kanë sisteme alternative të navigimit që u mundësojnë aterrim aeroplanëve, edhe nëse u humb sinjali.

Zëvendësdrejtori i kompanisë “Finnair” për operacione të fluturimeve, Juho Sinkkonen, i tha BBC-së se aeroplanët e kësaj kompanie ballafaqohen përditë me këtë problem.

“Pilotët po raportojnë raste në mënyrë aktive dhe ne marrim mbi 100 raportime në muaj” – tha ai.

Sidoqoftë, Sinkkonen tha se pengesa në GPS është kryesisht bezdi dhe bart pak rreziqe, sepse aeroplani gjatë fluturimit, para afrimit dhe aterrimit në një aeroport, zakonisht mund të përdorë sisteme të tjera të navigacionit, prandaj humbja e lidhjes me GPS nuk paraqet rrezik të menjëhershëm ndaj sigurisë.

Lajme të ngjashme