Vëlla e motër, 4 dhe 2 vjeçe, vriten nga një sulm izraelit në kampin e refugjatëve në Rafah
Një sulm ajror izraelit ndaj kampit të refugjatëve “Al-Shaboura” në qytetin jugor të Gazës, Rafah, la të vrarë dy fëmijë të vegjël dhe disa persona të tjerë u lënduan, sipas Mbrojtjes Civile Palestineze në Gaza dhe Spitalit të Kuvajtit në Rafah.
Disa persona të lënduar nga sulmi u sollën në objektin mjekësor pak para mesnatës, përfshirë një djalë 4-vjeçar të quajtur Kareem Jarada, dhe motrën e tij 2-vjeçare, Mona Jarada. Spitali i Kuvajtit tha se dy fëmijët u shpallën të vdekur nga mjekët pak pas arritjes në spital, raporton televizioni CNN.
Në pamje të siguruara nga televizioni amerikan shihen njerëz me rroba të gjakosura duke u nxjerrë nga vetura civile dhe duke u futur me nxitim në spital. Në video të tjera shihen perosna të lënduar duke u nxjerrë nga autoambulanca me simbolin e Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze, të shtrirë në barela.
Në një video të incizuar nga një gazetar që punon për televizionin CNN në oborrin e Spitalit të Kuvajtit shfaqet një qese e vogël me trupat e vëllait e motrës brenda saj dhe me emrat e tyre të shkruar në pjesën e jashtme të qeses dhe me datën e vdekjes së tyre – 30 prill.
Katër burra shihen duke u lutur para qeses së trupave, ndërsa gjyshja e fëmijëve, Um Rami Abu-Shalab, qan.
Ajo e hap qesen dhe i shikon nipin e mbesën, duke thënë: “Ata do të shkojnë në parajsë.” Kokat e pajetë të fëmijëve duken të gjakosura dhe me ngjyrë të ndryshuar.
“Sa herë që i shihja sytë e saj, thosha se ajo ka sy si të drerit... Zoti i dhashtë fuqi nënës suaj. Zoti ua pushoftë shpirtrat, nipi e mbesa ime” – dëgjohet duke thënë ajo.
Duke bërë me shenjë nga qesja me trupa, Um Rami i tha televizionit se dy fëmijët ishin nipi dhe mbesa e parë dhe e vetme për të, duke i quajtur “gëzimi i parë”. Sipas saj, prindërit e fëmijëve ishin lënduar nga sulmi ajror dhe se tani ishin “mes jetës e vdekjes”.