Pas ShBA-së, edhe Japonia e Holanda do të kufizojnë eksportet e teknologjisë në Kinë - NACIONALE

Pas ShBA-së, edhe Japonia e Holanda do të kufizojnë eksportet e teknologjisë në Kinë

1 vit më parë

nga Miranda Shala

Një zyrtar i Uashingtonit ka bërë komentet më të drejtpërdrejta që mund të ketë bërë një autoritet amerikan deri më sot, duke pranuar se ekziston një marrëveshje me Japoninë dhe Holandën që këto vende të vendosin kufizime në eksportet e mjeteve të prodhimit të çipave në Kinë.

"Ne nuk mund të flasim për marrëveshjen tani," - është shprehur Don Graves, zëvendës sekretar i departamentit të tregtisë, duke pranuar ekzistencën e marrëveshjes, raporton The Guardian.

Ndërkohë, ditën e premte, edhe Bloomberg kishte raportuar për finalizimin e një marrëveshjeje ndërsa ky lajm ishte konfirmuar edhe për Reuters.

Kujtojmë se në muajin tetor, ShBA-të bendosën kufizime gjithëpërfshirëse të eksportit për dërgesat e mjeteve të prodhimit të çipave në Kinë, në mënyrë që të pengojë aftësinë e Pekinit për të zgjeruar industrinë e çipave dhe për të rritur aftësitë ushtarake.

Por, mësohet se në mënyrë që këto kufizime të kenë efekt, ShBA duhej që të sillte në bord edhe Holandën e Japoninë që janë shtëpitë kryesore të prodhuesëve të çipave, ASML dhe Tokyo Electron.

Dihet se pak ditë më parë, zyrtarë nga Holanda dhe Japonia ishin në Uashington për të diskutuar një gamë të gjerë çështjesh në bisedimet e udhëhequra nga këshilltari i sigurisë kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan. E lidhur me këtë takim ishte pyetur edhe presidenti amerikan Joe Biden, i cili ka pranuar se është diskutuar për çipat.

"Po, kemi folur për shumë gjëra, por shumë janë private,”- raportohet të ketë thënë Biden.

Industria e çipave të Kinës është bërë një objektiv kryesor i kufizimeve të eksportit të ShBA.

Lajme të ngjashme