Kina dhe ShBA-ja përplasen në Organizatën Botërore të Tregtisë - NACIONALE

Kina dhe ShBA-ja përplasen në Organizatën Botërore të Tregtisë

4 muaj më parë

nga NACIONALE

Kina i kritikoi ashpër Shtetet e Bashkuara të premten në takimin e Organizatës Botërore të Tregtisë, duke e quajtur Uashingtonin “ngacmues të njëanshëm” dhe “shkelës të rregullave” në eskalimin më të ri të retorikës mes dy rivaleve të tregtisë.

Ambasadori i Kinës në Organizatën Botërore të Tregtisë, Li Chenggang, foli në një takim të kësaj organizate rreth mosmarrëveshjeve tregtare pak pasi Shtetet e Bashkuara paraqitën një ankesë kundër një vendimi të OBT-së, në të cilin thuhet se taksat amerikane ndaj metalit i shkelin rregullat globale.

“Këto sjellje shqetësuese të ShBA-së kanë paraqitur qartazi një imazh të ShBA-së si ngacmuese e njëanshme, shkelëse e rregullave dhe penguese e zinxhirit të furnizimit”- tha ai, sipas një kopjeje të fjalimit të tij, të siguruar nga agjencia “Reuters”.

Organizata Botërore e Tregtisë ka marrë vendime të rëndësishme kundër Shteteve të Bashkuara në javët e fundit, përfshirë vendimin për metale, ku përfshihet Kina, dhe një mosmarrëveshje tjetër me Hong-Kongun për etiketa. Uashingtoni, që për një kohë të gjatë e ka kritikuar sistemin e OBT-së për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve si sistem që i tejkalon kompetencat dhe që është duke i udhëhequr diskutimet për reformimin e tij, i ka kritikuar të dyja vendimet.

Megjithatë, Organizata Botërore e Tregtisë nuk do të mund ta shqyrtojë apelin e Shteteve të Bashkuara për rastin e taksave ndaj metaleve për shkak se organi më i lartë i apelit në këtë organizatë është paralizuar, pasi Shtetet e Bashkuara e kanë bllokuar emërimin e gjykatësve të rinj.

“Kina do të kishte shpresuar që ShBA-ja të shfaqte përmbajtje të duhur për të mos apeluar çdo raport të pafavorshëm të panelit e të mos e çojë në boshllëkun që vetë ShBA-ja e ka krijuar”- shtoi ambasadori kinez.

Lajme të ngjashme