Kina ndalon një sërë aktivitetesh me SHBA-në, ka vendosur tetë masa - NACIONALE

Kina ndalon një sërë aktivitetesh me SHBA-në, ka vendosur tetë masa

1 vit më parë

nga Lirim Krasniqi

Kina po ndërpret bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara në një numër fushash, duke përfshirë dialogun midis komandantëve të lartë ushtarakë dhe bisedimet për klimën, si hakmarrje për vizitën e kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Nancy Pelosi në Tajvan, tha Pekini.

Ministria e Jashtme e Kinës tha gjithashtu se po pezullonte bashkëpunimin me Uashingtonin për parandalimin e krimit ndërkufitar dhe trafikut të drogës dhe riatdhesimin e emigrantëve të paligjshëm. Në total, Pekini miratoi tetë masa të ndryshme.

Në një deklaratë menjëherë pasi Pelosi u largua nga Japonia, Kina anuloi një takim të planifikuar dypalësh mbi mekanizmin ushtarak-detar të sigurisë.

Pekini njoftoi veçmas se do të vendoste sanksione kundër Pelosit dhe familjes së saj të ngushtë për veprimet e tyre "të mbrapshta" dhe "provokuese".

Për shkak të vizitës së Pelosit në Tajvan, të cilin Kina e konsideron territorin e saj, Kina nisi stërvitje ushtarake të një përmase të paprecedentë në ujërat dhe hapësirën ajrore përreth Tajvanit. /Nacionale/

Lajme të ngjashme