Pas Netanyahut, edhe ministri i Mbrojtjes përplaset me komandantin e ushtrisë izraelite - NACIONALE

Pas Netanyahut, edhe ministri i Mbrojtjes përplaset me komandantin e ushtrisë izraelite

1 vit më parë

nga Nasuf Abdyli

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, u përplas publikisht të hënën vonë me komandantin e ushtrisë izraelite, Gjeneral Lejtënant Eyal Zamir, për një takim që ky i fundit e kishte mbajtur për emërime të larta në ushtri.

Para se ushtria izraelite t’i njoftonte emërimet, një listë e oficerëve të ngritur në detyrë rrodhi dhe u publikua nga disa mediume, duke e nxitur ministrin Katz që të lëshonte një deklaratë me të cilën e kritikoi ashpër komandantin, shkruan gazeta “The Times of Israel”.

Katzi tha se takimi i mbajtur nga Zamiri u zhvillua “në kundërshtim me direktivën e ministrit të Mbrojtjes dhe pa bashkërendim e marrëveshje paraprake, duke rënë ndesh me procedurën e vendosur”.

Ministri i Mbrojtjes tha se ai “nuk kishte synim që të diskutonte apo të miratonte ndonjërin nga emërimet apo emrat” që rrodhën në media.

“Komandantit do t’i kërkohet që të bashkërendohet paraprakisht me ministrin e Mbrojtjes me qëllim që të diskutohen këto ose emërime të tjera në të ardhmen” – shtoi Katzi.

Ai theksoi se “nomenklatura ushtarake i nënshtrohet ministrit të Mbrojtjes dhe do të veprojë në pajtim me direktivat e tij dhe me politikën që ai e përcakton”.

Pasi i njoftoi zyrtarisht emërimet në ushtri pas mesnatës, komandanti Zamir iu kundërpërgjigj ministrit Katz me një deklaratë nga ushtria, në të cilën tha se “diskutimet për stafin ishin caktuar paraprakisht, në pajtim me rregulloret”.

“Komandanti i Shtabit të Përgjithshëm është autoriteti i vetëm sipas rregulloreve për emërimin e komandantëve në rangun e kolonelit ose më lart në Forcat e Mbrojtjes të Izraelit. Komandanti i Shtabit të Përgjithshëm mban diskutim të organizuar për stafin me pjesëmarrjen e forumit të Shtabit të Përgjithshëm” – tha ushtria në një deklaratë.

“Komandanti i Shtabit të Përgjithshëm vendos për emërimet, pas së cilës emërimi shkon te ministri [i Mbrojtjes] për miratim, i cili mund ta miratojë apo të mos e miratojë emërimin” – thuhet më tej.

Sidoqoftë, ushtria e publikoi listën e emërimeve. Zakonisht, emërimet e larta, përpos atyre të gjeneralëve më të lartë, i sillen ministrit Katz për miratim pas takimeve të brendshme të ushtrisë rreth çështjes.

Përplasja vazhdoi edhe të martën në mëngjes, kur ministri Katz lëshoi një deklaratë të re, duke këmbëngulur se ai do t’i ndjekë procedurat e pranueshme.

“Pasi këto janë emërime të përbashkëta nga ministri i Mbrojtjes dhe komandanti i Shtabit të Përgjithshëm, ekziston një procedurë e pranuar për emërimet e rangjeve të kolonelit e më lart në Forcat e Mbrojtjes të Izraelit” – tha Katzi. “Asnjë diskutim për riorganizimet e ushtrisë nuk është mbajtur para se të kryhej procedura e pranuar” – shtoi ai.

Katzi tha më tej se i kishte “qartësuar komandantit se atij i duhet më shumë kohë deh se asnjë diskutim nuk duhet të mbahet në këtë kohë”, duke shtuar se ai “do ta peshojë mundësinë nëse do të promovojë apo jo në pozita oficerë të lartë në frontin e Gazës të cilët nuk kanë shërbyer gjatë kornizës së pranuar kohore për rolet e tyre ose rolet e tjera para se të jetë kompletuar detyra e mposhtjes së Hamasit në Gaza”.

Ministri i Mbrojtjes tha gjithashtu se ai do ta ekzaminojë mundësinë nëse do t’i promovojë oficerët që shërbyen si komandantë në frontin e Gazës gjatë masakrës së Hamasit më 7 tetor [2023], ose emrat e të cilëve ishin të lidhur me “incidente të parregullta në të kaluarën”.

“Nomenklatura ushtarake i nënshtrohet ministrit të Mbrojtjes dhe do të veprojë në pajtim me urdhrat e tij dhe me politikën që ai do ta caktojë” – theksoi Katzi.

Burime të paidentifikuara ushtarake, të cituara nga disa media izraelite, e akuzuan ministrin për “shantazh” dhe për trajtimin e komandantit të ushtrisë sikur të ishte një ushtar i ri, duke e përshkallëzuar përplasjen mes krerëve të establishmentit të mbrojtjes.

Këto burime pretenduan se komandanti ishte munduar për rreth një muaj që të caktonte një takim me ministrin Katz në lidhje me emërimet, por nuk kishte pasur sukses./Nacionale

Lexoni edhe: Raportohet për përplasje mes Netanyahut e komandantit të ushtrisë, përmendet djali i Bibit

Lajme të ngjashme