Raportohet për përplasje mes Netanyahut e komandantit të ushtrisë, përmendet djali i Bibit - NACIONALE

Raportohet për përplasje mes Netanyahut e komandantit të ushtrisë, përmendet djali i Bibit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe komandanti i përgjithshëm i ushtrisë izraelite, Gjeneral Lejtënant Eyal Zamir, raportohet se janë përplasur për shkak të planit për pushtimin e plotë të Rripit të Gazës. Ushtaraku ka argumentuar se ky vendim përbën “kurth” për Forcat e Mbrojtjes të Izraelit.

Sipas raportimeve në mediat izraelite, dy udhëheqësit gjithashtu janë grindur për një postim në rrjetin X nga djali i kryeministrit, Yair Netanyahu, i cili nuk ka ndonjë post qeveritar. Netanyahu i ri e ka kritikuar komandantin e ushtrisë dhe ka lënë të kuptohet se ai ishte prapa “një rebelimi dhe puçi ushtarak në tentativë që i ka hije një banana-republike në Amerikën Qendrore në vitet e shtatëdhjeta”, shkruan gazeta “The Times of Israel”.

Komandanti u ankua për këtë akuzë. Sipas televizionit publik izraelit, “Kan TV”, Zamir në takimin me Netanyahun tha: “Si duket kjo? Pse po më sulmon mua? Pse po flet kundër meje në mes të luftës?”

Thuhet se Netanyahu iu përgjigj me fjalët: “Mos kërcëno se do të dorëhiqesh në media. Unë nuk mund të pranoj që secilën herë që ti kërcënon se nëse ne nuk i pranojmë planet e tua, ti do të largohesh. Biri im është 33-vjeçar, ai është burrë i rritur.”

Komandanti i ushtrisë izraelite disa herë është përplasur me kabinetin qeveritar dhe burimet në Zyrën e Kryeministrit kanë lënë të kuptohet se nëse ai ankohet për planin për pushtimin e Gazës, mund të japë dorëheqje.

Raportohet, gjithashtu, se komandanti i ushtrisë gjatë diskutimeve të së martës ka thënë se pushtimi i plotë i Gazës do t’i rrezikonte 50 pengjet që janë duke u mbajtur nga grupet palestineze në Gaza, të paktën 20 prej të cilave besohet se janë gjallë, dhe do ta dërrmonte më tej ushtrinë.

Përplasja mes kryeministrit dhe komandantit është më e reja në një varg mosmarrëveshjesh mes kabinetit dhe udhëheqjes ushtarake. Thuhet se ajo ndodhi gjatë një takimi 3-orësh mes një grupi të kufizuar të ministrave, para një votimi të kabinetit për miratimin e planit për pushtimin e Gazës.

Thuhet se Netanyahu ka vendosur që ta çojë përpara planin për pushtimin e enklavës, që ka qenë kërkesë e vjetër e partnerëve të koalicionit nga e djathta ekstreme, përderisa bisedimet me Hamasin kanë hasur në ngërç javëve të fundit.

“Ti do të krijosh një kurth në Gaza” – i tha komandanti i ushtrisë izraelite Netanyahut, sipas televizionit publik. Kanali “Channel 12” e citoi Zamirin të ketë thënë se pushtimi i Gazës “do ta rrezikojë në masë domethënëse jetën e pengjeve dhe do të shkaktojë erozion të ushtrisë”.

Sipas dy televizioneve, Zamiri po rekomandon që, në vend të pushtimit të plotë të Rripit të Gazës, ushtria ta rrethojë Qytetin Gaza dhe potencialisht qendra të tjera të popullsisë, pastaj t’i shfrytëzojë këto pozicione për të nisur sulme. Uebfaqja e lajmeve “Walla” raportoi se komandanti i ushtrisë po sugjeron një qasje graduale.

Thuhet se Netanyahu u përgjigj duke i thënë komandantit që t’i përgatitë planet për pushtimin e Rripit të Gazës që t’ia paraqesë kabinetit. Televizioni “Kan TV” raportoi se kur Zamiri tha se ai tashmë i kishte paraqitur ato, Netanyahu i tha: “Bëji përmirësimet dhe paraqite atë.”/Nacionale

Lajme të ngjashme