Pas nëntë vitesh, largohet nga Mali grupi i fundit i ushtrisë franceze - NACIONALE

Pas nëntë vitesh, largohet nga Mali grupi i fundit i ushtrisë franceze

4 vjet më parë

nga Miranda Shala

Sipas një deklarate të lëshuar nga ushtria franceze, njësia e fundit e ushtarëve francezë është larguar nga Mali, nëntë vjet pasi Parisi dërgoi trupa në vendin e Afrikës Perëndimore për të ndihmuar në largimin e ekstremistëve islamikë nga pushteti.

Sipas AP-së, forcat e armatosura të Francës përfunduan tërheqjen e tyre nga Mali gjashtë muaj pasi presidenti francez Emmanuel Macron njoftoi planin e tij për t'u tërhequr nga vendi pas tensioneve me juntën në pushtet.

Gjatë vitit të kaluar pati gjithashtu rritje të tensioneve midis Malit fqinjëve të tij afrikanë dhe Bashkimit Evropian pasi qeveria kalimtare e vendit lejoi mercenarët rusë nga Grupi Wagner të vendoseshin në territorin e tij.

Ushtria franceze tha se kontigjenti i fundit i ushtarëve francezë të të ashtuquajturës Forca Barkhane e pranishme në territorin e Malit kaloi në Nigerinë fqinje të hënën pasdite. Deri më tani trupat ishin të vendosur në Gao në Malin verior, një rajon i rrënuar nga dhuna xhihadiste.

Në shkurt, kur Macron njoftoi tërheqjen Franca kishte rreth 4,300 trupa në rajonin e Sahelit, duke përfshirë 2,400 në Mali.

Me njësitë e ushtrisë franceze jashtë Mali, "forca Barkhane është riorganizuar jashtë vendit," tha të hënën deklarata e ushtrisë franceze, duke shtuar se "sfida e madhe logjistike është përmbushur në mënyrë të rregullt dhe të sigurt, në koordinim me të gjithë partnerët e saj.”

Macron ka thënë më parë se “zemra” e operacionit francez do të zhvendoset në Nigeri, veçanërisht në rajonin në kufi me Burkina Fason. E ashtuquajtura forca Barkhane është gjithashtu e përfshirë në Çad, Nigeri, Burkina Faso dhe Mauretania.

Forcat franceze kanë qenë aktive në Mali që nga viti 2013, kur ata ndërhynë për të larguar ekstremistët islamikë nga pushteti. Por kryengritësit u rigrupuan në shkretëtirë dhe filluan të sulmojnë ushtrinë maliane dhe aleatët e saj. Një grusht shteti i gushtit 2020 i udhëhequr nga Assimi Goita rrëmbeu pushtetin në Mali. Goita më pas vitin e kaluar, kreu një grusht shteti të dytë duke shkarkuar udhëheqësit civilë në qeverinë tranzitore të Malit dhe duke e vënë veten në krye të vendit.

Pas njoftimit të tërheqjes ushtarake të Macron në shkurt, liderët evropianë thanë gjithashtu se nga vendi do të tërhiqet edhe një task forcë ushtarake e udhëhequr nga BE e njohur si Takuba.

Liderit evropianë kritikuan juntën e Malit për punësimin e Grupit Wagner, të cilin BE-ja e akuzon për nxitje të dhunës dhe kryerjen e shkeljeve të të drejtave të njeriut në Afrikë.

Macron dhe liderë të tjerë evropianë kanë thënë vazhdimisht se tërheqjet ushtarake nga Mali nuk do të rezultojnë në braktisjen e njerëzve në rajonin e Sahelit në luftën e tyre kundër ekstremistëve islamikë.

Pas largimit nga Mali, “forcat e armatosura franceze vazhdojnë të luftojnë terrorizmin në Sahel, në koordinim të ngushtë me partnerët tanë afrikanë dhe ndërkombëtarë”, thuhej më tej në deklaratën e ushtrisë franceze.

Lajme të ngjashme