Pas Malit, edhe një shtet tjetër i madh afrikan i ndërpret raportet me Ukrainën
Qeveria ushtarake e Nigerit të martën i ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Ukrainën për shkak të deklaratave për të cilat zyrtarët thanë se e shfaqnin mbështetjen e Ukrainës për grupet e përfshira në luftime në Malin fqinj, ku muajin e kaluar u vranë dhjetëra ushtarë dhe luftëtarë të grupit rus “Wagner”.
Ky veprim vjen pas vendimit të Malit të dielën për t’i ndërprerë marrëdhëniet me Kievin pas komenteve të agjencisë ukrainase për inteligjencë ushtarake rreth luftimeve në pjesën veriore të Malit, ku rebelët Tuareg thanë se kishin vrarë të paktën 84 luftëtarë të grupit “Wagner” dhe 47 ushtarë të Malit, raporton agjencia “Reuters”.
Incidenti dukej se ishte humbja më e rëndë e grupit rus të mercenarëve që nga fillimi i angazhimit para dy vjetëve për t’i ndihmuar autoritetet ushtarake të Malit në luftën e tyre kundër grupeve kryengritëse.
Nuk qe menjëherë i mundshëm kontakti me Ministrinë e Jashtme të Ukrainës për shkak të orës së vonë të raportimit.
Të hënën, Ukraina e dënoi vendimin e Malit për ndërprerjen e marrëdhënieve, duke e cilësuar si shkurtpamës dhe të ngutur, duke thënë se Kievi e refuzon akuzën e mbështetjes ukrainase për terrorizmin ndërkombëtar.
Përplasja buron nga komentet e transmetuara në televizion të zëdhënësit të agjencisë ukrainase për inteligjencë ushtarake, Andriy Yusov, i cili ka thënë se rebelët në Mali kishin pranuar të dhëna “të nevojshme” për ta kryer sulmin.
Nigeri, Mali dhe vende të tjera të Afrikës Perëndimore gjithashtu i kanë dënuar komentet rreth luftimeve nga ambasadori i Ukrainës në Senegal, Guine, Guinea-Bissau, Breg të Fildishtë dhe Liberi.
Ministri i Jashtëm i Senegalit të premten e thirri në takim ambasadorin ukrainas, Yurii Pyvovarov, për shkak të një videoje për të cilën tha se ambasada ukrainase e kishte publikuar në faqen e vet në “Facebook”, në të cilën ambasadori ukrainas ofroi “përkrahje pa mëdyshje dhe të pakualifikuar për sulmin terrorist” në Mali.
Kjo mosmarrëveshje vjen në kohën kur Ukraina ka qenë duke u munduar të fitojë përkrahje globale, sidomos ta zgjerojë atë në shtetet e Hemisferës Jugore.
Gazeta “Nacionale” të hënën raportoi për vendimin e Malit për t’i ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Ukrainën. Për ta lexuar atë artikull, klikoni KËTU.
Javën e kaluar, gazeta “Nacionale” kishte raportuar për pretendimin e inteligjencës ushtarake të Ukrainës për rolin e saj në sulmin e rebelëve ndaj luftëtarëve të grupit “Wagner”. Për ta lexuar atë artikull, klikoni KËTU.