Inteligjenca ushtarake e Ukrainës thotë se kishte rol në sulmin ndaj Wagnerit në Mali - NACIONALE

Inteligjenca ushtarake e Ukrainës thotë se kishte rol në sulmin ndaj Wagnerit në Mali

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Agjencia ukrainase e inteligjencës ushtarake ka pretenduar se ishte e përfshirë në një pritë që la të vrarë luftëtarë të grupit “Wagner” nga Rusia në shtetin perëndimor afrikan, Mali, mijëra kilometra larg vijës së frontit në Ukrainë.

Në një kanal në rrjetin “Telegram”, që është i lidhur me udhëheqësinë e grupit “Wagner”, u pranua se grupi kishte pësuar humbje të rënda gjatë luftimeve në Mali javën e kaluar, raporton gazeta “The Guardian”.

Ky kanal tha se grupi “Wagner” dhe forcat e armatosura të Malit kishin “luftuar beteja të ashpra” për një periudhë 5-ditore kundër një koalicioni të forcave separatiste Tuareg dhe grupeve xhihadiste, të cilat kishin përdorur armë të rënda, dronë e bombardues vetëvrasës. Shumë luftëtarë të grupit “Wagner”, përfshirë një komandant, Sergei Shevchenko, u vranë, tha ky kanal.

Andrii Yusov, zëdhënës i agjencisë ukrainase për inteligjencë ushtarake, GUR, tha të hënën se “rebelët i pranuan të dhënat e nevojshme, dhe jo vetëm të dhënat, që mundësuan një operacion të suksesshëm ushtarak kundër kriminelëve rusë të luftës”.

Yusovi nuk tregoi nëse personeli ushtarak ukrainas ishte i përfshirë në luftime ose nëse ishte i pranishëm në Mali. Ai shtoi se GUR-i “nuk do të diskutojë për hollësitë tani për tani, por do të ketë më shumë [të dhëna më vonë]”.

Qeveria e Malit, që ka qenë duke luftuar kundër kryengritjeve të ndryshme në pjesën veriore të vendit për më shumë se një dekadë, kërkoi ndihmë nga grupi “Wagner” pas ardhjes në pushtet të një qeverie ushtarake më 2020.

Në maj të vitit të kaluar, Shtetet e Bashkuara i vendosën sanksione udhëheqësit të grupit “Wagner” në Mali, duke e akuzuar këtë grup për përdorim të operacionit atje si kanal për pajisje ushtarake për luftën në Ukrainë.

Gazeta “Kyiv Post” të hënën publikoi një fotografi për të cilën tha se shfaq rebelë të Malit duke mbajtur një flamur ukrainas. Ky medium tha se fotografia është vërtetuar nga një burim i mbrojtjes në Kiev. Ishte e pamundur të vërtetohej pamja në mënyrë të pavarur.

Besohet se forcat ukrainase janë aktive në Sudan, vend tjetër ku trupat e grupit “Wagner” janë përfshirë thellë në luftime, si shenjë tjetër që lufta e Ukrainës kundër Rusisë ka marrë dimension global./Nacionale

Lajme të ngjashme