Pas luftimeve vdekjeprurëse të 2020, Armenia dhe Azerbajxhani përplasen sërish
Përleshje të reja kanë shpërthyer të mërkurën mes Azerbajxhanit dhe Armenisë, ndërsa përpjekjet ndërkombëtare për paqen janë intensifikuar, një ditë pasi ish-republikat sovjetike dëshmuan dhunën më vdekjeprurëse që nga vitit 2020.
Kryeministri armen, Nikol Pashinyan i tha parlamentit se i kishte bërë thirrje Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive të udhëhequr nga Moska për ta ndihmuar atë të rivendoste integritetin e saj territorial pas sulmeve të Azerbajxhanit.
“Nëse themi se Azerbajxhani ka kryer agresion kundër Armenisë, do të thotë se ata kanë arritur të vendosin kontroll mbi disa territore”, është shprehur Pashinyan, sipas agjencisë së lajmeve TASS.
Pashinyan tha se që nga fillimi i sulmeve janë vrarë 105 ushtarakë armenë.
Dhuna që shpërtheu të martën përgjatë kufirit të Armenisë me Azerbajxhanin, për të cilën Baku fajësoi Jerevanin, nxiti një apel për qetësi nga presidenti rus Vladimir Putin dhe thirrje ndërkombëtare për përmbajtje.
Megjithatë, zëvendësministri i Jashtëm armen, Paruyr Hovhannisyan është shprehur për Reuters të mërkurën se ekzistonte rreziku që përleshjet vdekjeprurëse mund të përshkallëzoheshin në një luftë - një konflikt i dytë i madh i armatosur në ish-Bashkimin Sovjetik, ndërkohë që ushtria ruse është e fokusuar në pushtimin e Ukrainës.
Një konflikt i plotë midis Armenisë dhe Azerbajxhanit do të rrezikonte zvarritjen në Rusi dhe Turqi dhe do të destabilizonte një korridor të rëndësishëm për tubacionet që transportojnë naftë dhe gaz, ashtu si lufta në Ukrainë po ndërpret furnizimet me energji.
Azerbajxhani akuzoi Armeninë, e cila është në një aleancë ushtarake me Moskën dhe shtëpia e një baze ushtarake ruse, për gjuajtje me mortaja dhe artileri në njësitë e saj të ushtrisë.
Në ditën e parë të luftimeve Baku raportoi 50 viktima ushtarake, ndërsa të mërkurën tha se se që nga nisja e përleshjeve janë plagosur edhe dy civilë.
"Pozicionet tona janë duke u qëlluar në mënyrë periodike në këtë moment," tha ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit.
Ndërsa, ministria e Mbrojtjes e Armenisë, e cila ka mohuar të bombardojë pozicionet e Azerbajxhanit, tha se luftimet e së mërkurës janë qetësuar.
Shpërthimi i dhunës mes vendeve ka shkaktuar shqetësim ndërkombëtar, me Rusinë, Shtetet e Bashkuara, Francën dhe Bashkimin Evropian duke rritur përpjekjet diplomatike.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha të martën se Rusia ose mund të "trazojë tenxheren" ose të përdorë ndikimin e saj për të ndihmuar në "qetësimin e ujërave".
Ai poashtu realizoi telefonata të veçanta me Pashinyanin e Armenisë dhe Presidentin e Azerbajxhanit Ilham Aliyev për të kërkuar një armëpushim, dhe në veçanti shprehu shqetësimin për bombardimet thellë në Armeni.
Ndërsa, edhe ministrja e Jashtme franceze Catherine Colonna, në një telefonatë me homologët e saj nga të dy vendet, bëri thirrje për "përfundimin e sulmeve kundër territorit armen".
Armenia dhe Azerbajxhani kanë luftuar për dekada për Nagorno-Karabakun, një enklavë malore e njohur ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit, por që deri në vitin 2020 ishte tërësisht e populluar dhe e kontrolluar nga armenë etnikë, me mbështetjen e Jerevanit.
Në një luftë të po atij viti Azerbajxhani bëri fitime të konsiderueshme territoriale në dhe rreth Nagorno-Karabakh, e që atëherë, përleshjet kanë shpërthyer periodikisht pavarësisht një armëpushimi të ndërmjetësuar nga Rusia dhe hapave tentativë nga të dyja palët për të arritur një zgjidhje paqeje më gjithëpërfshirëse.


