Pas disa raportimeve, Stoltenbergu deklarohet për dërgimin e trupave të NATO-s në Ukrainë - NACIONALE

Pas disa raportimeve, Stoltenbergu deklarohet për dërgimin e trupave të NATO-s në Ukrainë

2 vjet më parë

nga Nasuf Abdyli

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i ka thënë agjencisë “Associated Press” se aleanca nuk ka plane për të dërguar trupa luftarake në Ukrainë, në kohën e raportimeve se disa shtete perëndimore mund të jenë duke e shqyrtuar dërgimin e ushtarëve në terren në vendin e goditur nga lufta.

Stoltenbergu tha se “aleatët e NATO-s po i ofrojnë përkrahje të pashembullt Ukrainës. Ne e kemi bërë këtë nga viti 2014 dhe e kemi shtuar atë pas pushtimit të shkallës së plotë, por nuk ka plane për trupa luftarake të NATO-s në terren në Ukrainë”, raporton agjencia “Associated Press”.

Para një udhëtimi për në Paris të hënën, ku zyrtarët e mbi 20 shteteve diskutuan opsione për ta shtuar ndihmën për Ukrainën, kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, tha se disa shtete ishin duke e shqyrtuar mundësinë për të hartuar marrëveshje dypalëshe për dërgimin e trupave në Ukrainë për ta ndihmuar luftën kundër pushtimit rus.

Fico tha se qeveria e tij nuk ishte duke planifikuar për të propozuar dërgim të ushtarëve sllovakë, por nuk ofroi hollësi për atë se cilat shtete ishin duke e shqyrtuar këtë mundësi ose çfarë do të bënin ushtarët në Ukrainë.

Kryetari i Kuvendit të Sllovakisë, Peter Pellegrini, tha se vendi i tij nuk do të dërgojë trupa në Ukrainë.

Kryeministri i Republikës Çeke, Petr Fiala, refuzoi që të komentonte para nisjes për në Paris, duke thënë se udhëheqësit do të takoheshin për të diskutuar opsione të mundshme, por theksoi se “Republika Çeke qartazi nuk dëshiron që të dërgojë ushtarë të saj në Ukrainë”.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha të hënën se dërgimi i trupave perëndimore në terren në Ukrainë nuk duhet “të përjashtohet” në të ardhmen, përderisa pushtimi rus i Ukrainës po hyn në vitin e tretë.

Lajme të ngjashme