Fico thotë se disa shtete perëndimore po shqyrtojnë pakte dypalëshe për dërgim trupash në Ukrainë - NACIONALE

Fico thotë se disa shtete perëndimore po shqyrtojnë pakte dypalëshe për dërgim trupash në Ukrainë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, tha të hënën se disa shtete të NATO-s dhe të BE-së po e shqyrtojnë dërgimin e ushtarëve në Ukrainë me marrëveshje dypalëshe.

Fico, që për një kohë të gjatë e ka kundërshtuar furnizimin e Ukrainës me armë dhe ka marrë një pozicion që nga disa kritikë është cilësuar si pro-rus, nuk ofroi hollësi dhe udhëheqës të tjerë evropianë nuk i komentuan menjëherë deklaratat e tij, raporton agjencia “Reuters”.

Kryeministri sllovak foli para një takimi të udhëheqësve evropianë në Paris, që u zhvillua më vonë të hënën.

“Unë do ta kufizoj veten që të them se këto (në përgatitje për takimin e Parisit) nënkuptojnë që një numër i vendeve anëtare të NATO-s dhe të BE-së janë duke shqyrtuar që të dërgojnë trupa të tyre në Ukrainë në baza dypalëshe” – tha Fico pas një takimi të këshillit të sigurisë të Sllovakisë.

“Nuk mund të them se për çfarë arsye ose çfarë duhet të bëjnë ata atje” – shtoi ai, duke theksuar se Sllovakia, anëtare e NATO-s dhe e BE-së, nuk do të dërgojë ushtarë në Ukrainë.

Disa shtete të NATO-s e kanë furnizuar Ukrainën me armë e municion me vlerë të miliarda eurove dhe po trajnojnë forca ukrainase. Megjithatë, disa udhëheqës, përfshirë presidentin amerikan, Joe Biden, kanë nënvizuar se aleanca dëshiron që të shmangë një konflikt të drejtpërdrejtë me Rusinë, që do të mund të çonte në një luftë globale.

“As NATO-ja, as aleatët e NATO-s nuk janë pjesë e konfliktit” – tha më 17 shkurt sekretari i Përgjithshëm i saj, Jens Stoltenberg.

NATO-ja nuk pati koment të menjëhershëm për deklaratën e kryeministrit sllovak.

Kur u pyet për këto komente, kryeministri çek, Petr Fiala, tha: “Republika Çeke qartazi nuk është duke u përgatitur për të dërguar ndonjë ushtar në Ukrainë, askush nuk duhet të brengoset për këtë.”

Fico tha se ai sheh një rrezik për eskalim të madh të konfliktit në Ukrainë dhe se më shumë të dhëna nuk mund të nxirren në publik.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ftoi udhëheqës evropianë e nga vende të tjera për takim në Paris. Fico tha se thirrja e këtij takimi dëshmon se strategjia e Perëndimit për Ukrainën ka dështuar. Ai shtoi se do të merrte pjesë në këtë takim në frymë konstruktive, edhe pse materiali për diskutim që i është dërguar “e frikëson”.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme