Macroni refuzon që ta përjashtojë dërgimin e trupave në Ukrainë
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha të hënën se ai refuzon që ta përjashtojë dërgimin e trupave tokësore në Ukrainë, por shtoi se për këtë masë nuk ka konsensus. Këto komente i bëri në një takim të 20 udhëheqësve kryesisht evropianë në Paris, i cili u organizua nga francezi për ta përforcuar kundërpërgjigjen e Evropës ndaj përparimeve ushtarake ruse brenda Ukrainës.
Duke e mbrojtur paqartësinë strategjike të Francës, Macroni tha se “nuk ka konsensus për të përkrahur zyrtarisht çfarëdo trupash tokësore”. Megjithatë, ai shtoi: “Duke e thënë këtë, asgjë nuk duhet të përjashtohet. Ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për t’u siguruar që Rusia të mos ngadhënjejë” – raporton gazeta “The Guardian”.
Ai theksoi se temat tabu të së kaluarës, si dërgimi i raketave me rreze të gjatë dhe aeroplanëve në Ukrainë, janë lënë anash, duke shtuar se “njerëzit thoshin që t’u jepnim atyre [ukrainasve] vetëm thasë për fjetje dhe helmeta”. “Ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për ta fituar objektivin tonë” – paralajmëroi presidenti francez.
Kjo është hera e parë që ka ekzistuar një diskutim i tillë i hapur mes shteteve në mënyrë kolektive për ofrimin e trupave për ta përkrahur fuqinë njerëzore të dobësuar të ushtrisë ukrainase.
Duke folur në fund të këtij takimi, Macroni paralajmëroi: “Është një ndryshim në qëndrimin e Rusisë. Ajo po mundohet që të marrë territor të mëtejmë dhe i ka sytë jo vetëm mbi Ukrainën, por mbi shumë shtete të tjera, gjithashtu, prandaj Rusia po paraqet një rrezik më të madh.”
Në mesin e figurave që morën pjesë në këtë takim ishin kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, sekretari i Jashtëm i Britanisë, David Cameron, presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, dhe kryeministri në largim i Holandës, Mark Rutte. Pati përfaqësues edhe të ShBA-së e Kanadasë.
Sipas presidentit francez, në takim u arrit pajtueshmëri për pesë fusha kyçe të veprimit: mbrojtja kibernetike, prodhimi i përbashkët i armëve dhe municionit ushtarak në Ukrainë, mbrojtja e shteteve që rrezikohen drejtpërdrejt nga ofensivat ruse, si Moldavia, mbrojtja më e madhe ushtarake për Ukrainën në kufirin e saj me Bjellorusinë e përkrahur nga Rusia dhe deminimi i Ukrainës. Ai gjithashtu njoftoi një koalicion të ri për ofrimin e raketave me rreze të gjatë e të mesme.
Duke këmbëngulur se mposhtja e Rusisë është absolutisht thelbësore për paqen dhe sigurinë në Evropë, Macroni tha se është e nevojshme që kontinenti të lëvizë nga fjalët te veprat, në mënyrë që të merren vendime të qarta për të ndërtuar një shtyllë evropiane të mbrojtjes që është e pavarur nga Amerika.