Pamje: Kimi i vëzhgon vërshimet me barkë, ushtari kërruset që t’mos ia pengojë pamjen
Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, dhe zyrtarë të tjerë të lartë të këtij vendi i kanë vizituar zonat e vërshuara në pjesën veriperëndimore të shtetit me barkë për ta vlerësuar dëmin e shkaktuar nga reshjet e dendura.
Agjencia zyrtare e lajmeve, KCNA, tha të mërkurën se rreth 4.100 shtëpi e shumë ndërtesa publike, rrugë e hekurudha në qytetin Sinuiju dhe në qytezën Uiju ishin vërshuar, përcjell agjencia “Associated Press”.
Për më tepër, tre mijë hektarë të fushave bujqësore raportohet se janë prekur nga vërshimet.
Në një video, Kimi shihet duke zbritur ngadalë e duke shkelur nëpër disa gurë, vazhdimisht duke u mbajtur për duarsh e për krahësh nga dy zyrtarë që të mos rrëshqiste.
Ai mbahet për krahësh edhe në momentin e hipjes në një barkë të vogël me ngjyrë të gjelbër.
Më pas, udhëheqësi Korean shihet duke biseduar me dy zyrtarë, përderisa barka lëvizte nëpër ujin e vërshimeve që kishin përfshirë sipërfaqe të gjerë e kishin arritur deri në kulmin e disa shtëpive.
Në pjesën e fundit të videos, bie në sy një ushtar në pjesën e përparme të barkës, i cili vazhdimisht qëndron i kërrusur për të mos ia penguar pamjen udhëheqësit të shtetit.