Pamje: Izraeli sulmon një stacion policor në Gaza, së paku dhjetë të vrarë
Një stacion policor në Jabalia, në pjesën veriore të Gazës, u godit të enjten nga një sulm ajror izraelit, duke lënë të vrarë të paktën dhjetë persona, thanë autoritetet shëndetësore lokale, ndërsa ushtria izraelite tha se kishte goditur një qendër komande të Hamasit dhe të Xhihadit Islam.
Mjekët thanë se dy sulme izraelite e goditën stacionin policor që ndodhej afër një tregu, duke e shkaktuar plagosjen e dhjetëra njerëzve, përpos dhjetë të vdekurve. Identiteti i të vrarëve nuk ishte menjëherë i qartë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Ushtria izraelite tha në një deklaratë ku qartazi i referohej incidentit të njëjtë se sulmoi një qendër të komandës dhe kontrollit të operuar nga Hamasi dhe Xhihadi Islam në Jabalia, të cilën militantët e shfrytëzonin për të planifikuar dhe ekzekutuar sulme kundër forcave izraelite.
Ushtria i akuzoi grupet militante për shfrytëzimin e civilëve dhe pronave civile për qëllime ushtarake, akuzë që Hamasi dhe grupet e tjera e mohojnë.
Autoritetet shëndetësore lokale thanë se nga sulmet izraelite janë vrarë të paktën 16 njerëz në sulme të ndryshme ajrore në mbarë enklavën, duke e çuar në 26 numrin e përgjithshëm të viktimave.
Që nga shembja e armëpushimit më 18 mars, nga sulmet izraelite janë vrarë më shumë se 1.900 palestinezë, shumë prej tyre civilë, sipas autoriteteve shëndetësore në Gaza, ndërsa qindra mijëra të tjerë janë zhvendosur, pasi Izraeli e mori nën kontroll atë që e quan zonë neutrale në territorin e Gazës.
Përpjekjet e ndërmjetësve – Katarit e Egjiptit – të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara, deri më tani kanë dështuar që t’i zgjidhin mosmarrëveshjet mes dy palëve ndërluftuese, Izraelit e Hamasit, për t’iu rikthyer armëpushimit./Nacionale
Shalom Gaza.@IAFsite have attacked a police area in Jabalya, Gaza. Nowhere To Hide pic.twitter.com/GuWDFxzVuE
— Mark Israel (@MarkIsrael710) April 24, 2025