Pamje: Drejtori i OBSh-së përlotet përderisa flet për Gazën: “Situata është përtej fjalëve”
Drejtori i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, të enjten bëri thirrje për një “zgjidhje të vërtetë” për konfliktin izraelito-palestinez në një thirrje emocionale në organizatën që e drejton, ku kushtet në Gaza i përshkroi si “të skëterrshme”.
Zyrtari i lartë i OBSh-së, i cili edhe vetë e ka përjetuar luftën si fëmijë dhe fëmijët e ë cilit ishin fshehur në një bunker gjatë bombardimeve në Etiopi në periudhën 1998 – 2000, në luftën kufitare me Eritrenë, pati emocione gjatë përshkrimit të kushteve në enklavën e bombarduar palestineze, ku mbi 25 mijë njerëz janë vrarë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza.
“Unë jam besimtar i vërtetë për shkak të përvojës sime që lufta nuk sjell zgjidhje, përpos më shumë luftë, më shumë urrejtje, më shumë agoni, më shumë shkatërrim. Prandaj, le ta zgjedhim paqen dhe ta zgjidhim këtë çështje politikisht”- tha drejtori Adhanom në Bordin Ekzekutiv të OBSh-së në Gjenevë të Zvicrës, gjatë një diskutimi për urgjencën shëndetësore në Gaza, raporton agjencia "Reuters".
“Mendoj se të gjithë prej jush keni thënë zgjidhja me dy shtete e kështu dhe shpresoni që kjo luftë do të përfundojë e do të lëvizë drejt një zgjidhjeje të vërtetë”- shtoi ai, para se të shpërthente në lot, duke e përshkruar situatën e tanishme në Gaza si “përtej fjalëve”.
@cbsnews The World Health Organization’s Director-General Tedros Adhanom Ghebreyesus is moved to tears as he talks about the current situation in Gaza. “I’m struggling to speak because... Because the situation is beyond words...,” he says. #news #gaza ♬ original sound - cbsnews
Ambasadorja e Izraelit tha se komentet e Adhanomit përfaqësojnë “një dështim të plotë të udhëheqësisë”.
“Deklarata nga drejtori i përgjithshëm ishte mishërim i gjithçkaje që është e gabuar në OBSh nga 7 tetori. S’ka përmendje të pengjeve, përdhunimeve, vrasjes së izraelitëve, as të militarizimit të spitaleve dhe përdorimit të neveritshëm të mburojave njerëzore nga Hamasi” – tha ambasadorja izraelite, Meirav Eilon Shahar.
Ajo e akuzoi OBSh-në për “bashkëpunim të fshehtë” me Hamasin, duke thënë se kjo organizatë i ka mbyllur sytë para aktiviteteve ushtarake të Hamasit në spitalet e Gazës.
Në të njëjtin fjalim, në anën tjetër, drejtori i OBSh-së paralajmëroi se më shumë njerëz në Gaza do të vdesin nga uria dhe sëmundjet.