NYT: Trumpi po i shqyrton opsionet dhe rreziqet për sulme ndaj Venezuelës - NACIONALE

NYT: Trumpi po i shqyrton opsionet dhe rreziqet për sulme ndaj Venezuelës

5 ditë më parë

nga Nasuf Abdyli

Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, ka zhvilluar një varg opsionesh për veprime ushtarake në Venezuelë, përfshirë sulmet e drejtpërdrejta ndaj njësiteve ushtarake që e mbrojnë presidentin Nicolas Maduro dhe veprimet për t’i marrë nën kontroll fushat e naftës, sipas disa zyrtarëve amerikanë.

Trumpi ende nuk ka marrë një vendim për atë se si të vazhdohet tutje dhe madje as se a do të vazhdohet. Zyrtarët thanë se ai po ngurron që të miratojë operacione që do të vinin në rrezik ushtarë amerikanë ose që do të mund të shndërroheshin në një dështim të turpshëm. Megjithatë, shumë prej këshilltarëve të tij të lartë po bëjnë shtytje për njërin prej opsioneve më agresive: rrëzimin e Maduros nga pushteti, raporton gazeta “The New York Times”.

Ndihmësit e Trumpi kanë kërkuar nga Departamenti i Drejtësisë udhëzime shtesë që do të mund të ofronin një bazë ligjore për çfarëdo veprimi ushtarak përtej fushatës së tanishme të sulmeve ndaj barkave për të cilat administrate thotë se po trafikojnë lëndë narkotike, pa paraqitur dëshmi për këtë. Në udhëzime të tilla do të mund të përfshihej një arsyetim ligjor për ta vënë në shënjestër Maduron pa e krijuar nevojën për autorizim nga Kongresi për përdorimin e forcës ushtarake, e aq më pak shpalljen e luftës.

Përderisa udhëzimet janë ende duke u hartuar, disa zyrtarë të administratës presin se në to do të argumentohet se Maduroja dhe zyrtarët e tij të lartë të sigurisë janë figura qendrore në grupin “Cartel de los Soles”, të cilin administrata e ka futur në listën e grupeve narko-terroriste. Departamenti i Drejtësisë pritet të deklarojë se ky cilësim e bën Maduron cak legjitim pavarësisht ndalimeve të vjetra ligjore amerikane ndaj vrasjes së udhëheqësve kombëtarë.

Departamenti i Drejtësisë refuzoi që të komentonte. Trumpi ka dhënë një varg porosish publike kundërthënëse në lidhje me synimet dhe justifikimin për ndonjë veprim ushtarak në të ardhmen. Ai ka thënë javëve të fundit se sulmet ndaj barkave në Karaibe dhe në Paqësorin Lindor, nga të cilat janë vrarë të paktën 65 njerëz, do të zgjerohen në sulme tokësore. Megjithatë, një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.

Kur u pyet nga televizioni “CBS News” nëse Shtetet e Bashkuara po shkojnë drejt luftës me Venezuelën, Trumpi të dielën tha: “Dyshoj. Nuk mendoj ashtu, por ata kanë qenë duke na trajtuar ne shumë keq, jo vetëm sa i përket drogës.” Ai e përsëriti pretendimin e pambështetur në dëshmi se Maduroja i ka hapur burgjet dhe institucionet e shëndetit mendor dhe ka dërguar anëtarë të bandës “Tren de Aragua” në Shtetet e Bashkuara. Trumpi e ka bërë këtë akuzë që nga fushata zgjedhore e vitit të kaluar.

Kur u pyet nëse ditët e Maduros si president i Venezuelës janë të numëruara, presidenti amerikan tha: “Mendoj se po.”

Mbështetja për opsione më agresive po vjen nga sekretari i Shtetit, Marco Rubio, i cili gjithashtu po e mban pozitën e këshilltarit të sigurisë kombëtare, si dhe nga Stephen Miller, zëvendësshef i stafit të Trumpit dhe këshilltar për sigurinë e atdheut. Sipas disa zyrtarëve amerikanë, ata kanë thënë privatisht se besojnë që Maduroja duhet të largohet me forcë nga pushteti.

Megjithatë, ndihmësit thonë se Trumpi vazhdimisht ka shprehur rezerva, pjesërisht për shkak të frikës se operacioni mund të dështojë./Nacionale

Lajme të ngjashme