Norvegjia do të kërkojë opinion në GjND kundër veprimeve të Izraelit
Norvegjia do të kërkojë nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GjND) një opinion këshillëdhënës për ta dënuar Qeverinë e Izraelit për shkak të përfundimit të bashkëpunimit me agjencinë e OKB-së për refugjatët palestinezë, UNRWA.
Kuvendi i Izraelit muajin e kaluar miratoi dy projektligje për ta ndaluar agjencinë UNRWA në territorin e vendit dhe për t’ia ndaluar autoriteteve izraelite kontaktin me këtë agjenci, lëvizje që do t’ia pamundësonin asaj shpërndarjen e ndihmave në Gaza, pas akuzave nga Izraeli se disa pjesëtarë të kësaj agjencie në Gaza ishin të përfshirë në sulmet e 7 tetorit të vitit të kaluar nga Hamasi. OKB-ja ka nisur një hetim për pretendimet e Izraelit dhe ka shkarkuar nëntë pjesëtarë të UNRWA-së si rezultat, raporton gazeta “The Guardian”.
Agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë ka thënë se Izraeli ka shkatërruar ose dëmtuar dy të tretat e hapësirave të saj në Gaza dhe 243 pjesëtarë të personelit të saj janë vrarë.
Ligji i miratuar më 28 tetor pritet të hyjë në fuqi brenda tre muajve dhe ka gjasa që të përkrahet edhe nga administrata e re amerikane, e udhëhequr nga presidenti i zgjedhur, Donald Trump.
Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Norvegjisë, Andreas Motzfeldt Kravik, ka qenë duke mbajtur konsultime fillestare në OKB në Nju-Jork për ta diskutuar dërgimin e një rezolute në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, me të cilën do të bëhej thirrje për opinion këshillëdhënës nga GjND-ja në përpjekje për ta mbrojtur ekzistencën e agjencisë UNRWA.
Kjo lëvizje, për të cilën do të votohej muajin e ardhshëm, ka përkrahje të gjerë nga agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë dhe një numër në rritje i shteteve arabe.
Kryeministri i Norvegjisë, Jonas Gahr Store, tha: “Komuniteti ndërkombëtar nuk mund të pranojë që OKB-ja, organizatat humanitare ndërkombëtare dhe shtetet vazhdojnë që të ballafaqohen me pengesa sistematike, kur punojnë në Palestinë dhe kur shpërndajnë ndihma humanitare te palestinezët nën pushtim.”
“Prandaj, ne do të kërkojmë një opinion këshillëdhënës nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë rreth obligimeve të Izraelit për ta lehtësuar asistencën humanitare te popullsia palestineze, të shpërndarë nga organizata ndërkombëtare, përfshirë OKB-në, dhe shtete” – shtoi ai.
GjND-ja tashmë ka lëshuar disa urdhra me të cilët Izraelit si fuqi pushtuese i kërkohet shtimi i ndihmave humanitare në Gaza, por kërkesa e re, nëse përkrahet nga Asambleja e Përgjithshme, do ta dërgonte betejën ligjore mes Izraelit dhe gjykatave ndërkombëtare në territor të ri./Nacionale