Një javë luftë, bota në dysh: Mijëra të vrarë, krizë humanitare, ofensivë në pritje e kërcënime - NACIONALE

Një javë luftë, bota në dysh: Mijëra të vrarë, krizë humanitare, ofensivë në pritje e kërcënime

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Të shtunën e kaluar, Hamasi nisi një sulm të befasishëm në jug të Izraelit. Nga ajo ditë, konflikti nuk është ndalur. Bilanci i këtyre ditëve është i zymtë: mijëra të vrarë e të plagosur, krizë humanitare, shpërngulje, frikë e kërcënime mes palëve. Pavarësisht përpjekjeve diplomatike, ka frikë se konflikti po shkon drejt eskalimit.

AFP

Më shumë se 1.300 izraelitë e mbi 2.200 palestinezë raportohet të jenë vrarë që nga fillimi i konfliktit. Në Rripin e Gazës po bien kambanat e alarmit për krizë humanitare. Izraeli u ka dhënë disa orë afat civilëve që të zhvendosen nga veriu në jug, ndërsa spitalet janë stërmbushur me pacientë e mund të mbeten pa karburant.

Izraeli është zotuar se do ta shkatërrojë Hamasin. Ushtria izraelite ka grumbulluar forcat tokësore e tanke përreth Gazës, ka hedhur fletushka nga ajri për t’u thënë civilëve të largohen dhe ka kryer bastisje të lokalizuara “për ta pastruar zonën nga terroristët dhe armatimi”, sipas zyrtarëve.

Forcat izraelite kanë sulmuar caqe në Gaza me mijëra raketa, duke lënë 2.215 të vdekur, përfshirë 724 fëmijë, deri të shtunën, sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë.

“Zgjohemi me vrasje e vdekje nën bomba. Nuk dimë se ku të shkojmë, ku është sigurt. Nuk kemi ushqim, ujë ose rrymë”- tha Mohamed Abu Ali, banor i Gazës.

Në Gjenevë, Kryqi i Kuq ka thënë se sulmet e pajustifikueshme e “të tmerrshme” ndaj Izraelit nuk mund ta justifikojnë “shkatërrimin e pakufi të Gazës”.

“Vetëm fillimi”

Izraeli është ballafaquar me sulmin më të përgjakshëm në disa dekada dhe po mban zi për 1.300 viktimat që i ka gjetur në qytezat jugore. Ushtarët e kanë pastruar terrenin gjatë betejave, duke thënë se 1.500 militantë të Hamasit janë vrarë.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka paralajmëruar se bombardimi nga forcat e vendit të tij deri më tani është “vetëm fillimi” i fushatës për ta shtypur Hamasin, grup që synim e ka shkatërrimin e Izraelit dhe të cilin Netanyahu e ka krahasuar me ISIS-in.

Përmes një sulmi, “aeroplanët vranë Ali Qadi-n, komandant kompanie i forcave komando “Nukhba” të Hamasit”, i përfshirë në sulmin e 7 tetorit, thuhet në një deklaratë të publikuar të shtunën.

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Jonathan Conricus, tha të shtunën se forcat izraelite tani ishin “në formacion... përreth tërë Rripit të Gazës, në jug, në qendër dhe në veri”.

“Ne do të evoluojmë në operacione domethënëse luftarake shtesë. Kur bëjmë kështu, mbajeni në mend se si filloi... Tërë kjo është e bërë nga Hamasi”- shtoi ai.

Frikë për pengjet

Paniku e frika po mbizotërojnë në rrugët e mbushura me rrënoja në Gaza, ku spitalet janë stërmbushur me viktima të përgjakura, e në morgë po ka vështirësi për t’u bërë vend trupave.

Operacioni i pritshëm tokësor i forcave izraelite vetëm sa e ka shtuar frikën për 150 pengje që po mbahen nga Hamasi. Ky grup ka kërcënuar se do të vrasë pengje si kundërpërgjigje ndaj sulmeve të paparalajmëruara të Izraelit ndaj civilëve.

“Vetëm dua që ati të kthehet, ta shoh dhe ta përqafoj. Pjesa tjetër s’është e rëndësishme”- tha Kanyarat Suriyasri, bashkëshortja e një pengu tajlandez që është marrë nga Hamasi.

Ushtria izraelite ka konfirmuar se i ka kontaktuar familjet e 120 pengjeve civile deri më tani. Ndërkohë, Egjipti dhe Izraeli janë pajtuar që t’i lejojnë shtetasit amerikanë të largohen nga Rripi i Gazës përmes pikëkalimit “Rafah”, sipas një zyrtari amerikan.

“Transferim me forcë”

Ushtria izraelit të premten hodhi fletushka nga ajri për t’i paralajmëruar banorët e pjesës veriore të Gazës që të largohen menjëherë drejt zonave në jug. Pati paqartësi për urdhrin e evakuimit masiv pas raportimeve fillestare për një periudhë 24-orëshe.

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se plani për të evakuuar mbi një milion njerëz brenda një dite është “tërësisht i pamundshëm për t’u zbatuar”.

Mijëra banorë të Gazës e kanë marrë rrugën e ikjes në kërkim të sigurisë, të ngarkuar me qese, valixhe e gjëra të tjera në krahë e me fëmijë në duar.

Palestinezët nuk mund të largohen nga enklava e bllokuar nga Izraeli e Egjipti. Fuqia afrikane nuk e ka hapur pikën kufitare “Rafah” për refugjatët e Gazës.

Kryetari i Lidhjes Arabe, Ahmed Abul Gheit, ka thënë se urdhri i Izraelit është “transferim me forcë” që përbën “krim”.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme