Netanyahu: Çdo anëtar i Hamasit është njeri i vdekur
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se secili anëtar i Hamasit është “njeri i vdekur” pas takimit të parë të qeverisë emergjente.
Krahas tij, politikani i opozitës, Benny Gantz, tha se “është kohë lufte”, raporton televizioni BBC.
Megjithatë, presidenti amerikan, Joe Biden, tha se kishte biseduar me Netanyahun dhe i kishte bërë të qartë atij se Izraeli duhet “të operojë sipas rregullave të luftës”.
Numri i të vdekurve nga sulmet e Hamasit në Izrael ka shkuar në 1.200. Në anën tjetër, më shumë se 1.100 njerëz janë vrarë nga sulmet ajrore izraelite në Gaza.
Bideni tha se e kupton zemërimin e popullit izraelit, por i bëri thirrje Izraelit që t’u përmbahet parimeve të konventave të Gjenevës. Ai gjithashtu e paralajmëroi Iranin – që e ka mirëpritur sulmin e Hamasit – që “të jetë i kujdesshëm”.
Të mërkurën, Netanyahu dhe Gantzi u pajtuan që ta linin anash rivalitetin e ashpër politik që kishte eskaluar në protesta masive. Gantzi u tha qytetarëve izraelitë se qeveria e formuar rishtazi ishte e bashkuar dhe e gatshme “për ta zhdukur këtë gjë të quajtur Hamas nga faqja e Tokës”.
Sidoqoftë, udhëheqësi kryesor opozitar, Yair Lapid, nuk i është bashkuar aleancës. Netanyahu dhe Gantzi thanë në një deklaratë të përbashkët se Lapidit do t’i ofrohet një ulëse në kabinetin e luftës.
Qeveria emergjente do të ofrojë konsensus më të gjerë kombëtar për veprime ushtarake. Ajo i sjell kabinetit të luftës edhe dy zëra që janë ekspertë të strategjive ushtarake. Gantzi dhe Gadi Eisenkot, që do të jetë si vëzhgues, janë ish-komandantë të ushtrisë izraelite.
