Putini thotë se ShBA-ja po e ndez Lindjen e Mesme përmes dërgimit të aeroplanmbajtëses atje - NACIONALE

Putini thotë se ShBA-ja po e ndez Lindjen e Mesme përmes dërgimit të aeroplanmbajtëses atje

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, i akuzoi të mërkurën Shtetet e Bashkuara se po e ndezin Lindjen e Mesme përmes dërgimit të një grupi sulmues me aeroplanmbajtëse në rajon, duke thënë se nevojiten “zgjidhje kompromisi” dhe se ai shpreson që arsyeja e shëndoshë do të ngadhënjejë.

Kreu i Kremlinit e ka quajtur shpërthimin e dhunës mes Izraelit dhe palestinezëve shembull të qartë të dështimit të politikës së ShBA-së në Lindje të Mesme, për të cilën thotë se nuk i ka marrë parasysh nevojat e palestinezëve, raporton agjencia “Reuters”.

Pas sulmit të befasishëm nga militantët e Hamasit ndaj Izraelit të shtunën, sekretari i Mbrojtjes i ShBA_së, Lloyd Austin, tha se vendi i tij do të dërgojë më afër Izraelit një grup sulmues me aeroplanmbajtësen “USS Gerald R. Ford”.

Duke folur në një konferencë për energjinë në Moskë, presidenti rus tha se ky veprim i Shteteve të Bashkuara, i kritikuar ashpër të martën edhe nga presidenti turk, Rexhep Erdogan, është gabim.

“Nuk kuptoj pse ShBA-ja po i çon grupet me aeroplanmbajtëse në Detin Mesdhe. Vërtet nuk e kuptoj qëllimin. A do ta bombardojnë Libanin apo çfarë”- tha Putini.

“Apo a kanë vendosur që të mundohen për të frikësuar dikë? Ka njerëz atje që nuk frikësohen më nga asgjë. Kjo nuk është mënyra për ta zgjidhur problemin. Duhet të kërkohen zgjidhje kompromisi. Natyrisht, veprime të tilla po e ndezin situatën”- shtoi presidenti rus.

Lajme të ngjashme