Hamasi pretendon se 13 pengje, përfshirë shtetas të huaj, janë vrarë nga sulmet ajrore izraelite
Krahu i armatosur i Hamasit ka thënë se të paktën 13 pengje izraelite e të huaja, që po mbaheshin në Rripin e Gazës, janë vrarë nga sulmet ajrore izraelite gjatë 24 orëve të kaluara.
“Trembëdhjetë të burgosur… përfshirë të huaj” janë vrarë në pesë lokacione të shënjestruara nga aeroplanët luftarakë izraelitë”- thuhet në një deklaratë të Brigadave “Izzedine al-Qassam”, raporton televizioni BBC.
Hamasi mori rreth 150 persona peng, kur e nisi sulmin e befasishëm ndaj Izraelit më 7 tetor, të shtunën. Ky grup ka kërcënuar se do t’i vrasë pengjet, nëse Izraeli bombardon shtëpi të civilëve në Gaza pa paralajmërim.
Pas këtyre raportimeve, sekretari i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar, Grant Shapps, tha se ai do t’i trajtojë këto pretendime me “kujdes”, por edhe me “shqetësim të thellë”.
