Raportohet për 70 të vrarë nga sulmi në rrugët e evakuimit të civilëve në Gaza - NACIONALE

Raportohet për 70 të vrarë nga sulmi në rrugët e evakuimit të civilëve në Gaza

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Televizioni CNN ka vërtetuar pesë video nga skena e një shpërthimi të madh përgjatë një rruge evakuimi për civilët në jug të qytetit Gaza.

Në video shfaqen shumë trupa të pajetë në një skenë të shkatërrimit të gjerë. Disa prej trupave shihen në një karrocë që duket se ishte duke u përdorur për të larguar njerëz nga qyteti Gaza. Në pamje shihen disa fëmijë dhe disa vetura të djegura e të dëmtuara, raporton televizioni CNN.

Është e paqartë se çfarë e ka shkaktuar shkatërrimin e gjerë në atë zonë. Shpërthimi ndodhi të premten pasdite në rrugën “Salah Al-Deen”.

Ushtria izraelite u tha civilëve në qytetin Gaza dhe përreth tij të premten se duhej të vendoseshin në jug të enklavës për të mos u prekur nga operacionet ushtarake.

Zyra mediale e Hamasit i tha të shtunën televizionit CNN se sulmet ajrore izraelite kanë lënë 70 të vrarë dhe 200 të tjerë të lënduar në mesin e të evakuuarve në Gaza pas lëshimit të paralajmërimit të premten për zhvendosjen e tyre në jug.

Më herët, Ministria palestineze e Shëndetësisë në Gaza konfirmoi se “numra të mëdhenj” të njerëzve të vdekur e të lënduar kishin arritur në spitalin “Al-Shifa”, pasi ishin bombarduar gjatë rrugës nga pjesa veriore e Gazës për në jug.

Lajme të ngjashme