Një e treta e Pakistanit nën ujë, apel për ndihmë urgjente - NACIONALE

Një e treta e Pakistanit nën ujë, apel për ndihmë urgjente

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Punonjësit e ndihmës kanë apeluar për donacione urgjente për të luftuar ndikimin "absolutisht shkatërrues" të përmbytjeve në Pakistan, pasi imazhet e reja satelitore duket se konfirmojnë se një e treta e vendit tani është nën ujë.

Ndërkohë, edhe Komiteti i Emergjencave të Fatkeqësive (DEC) i Mbretërisë së Bashkuar ka nisur një apel për të mbledhur fonde për 33 milionë njerëzit e prekur.

Pamjet e zymta nga vendi janë publikuar nga Agjencia Evropiane e Hapësirës, e këto foto duket se konfirmojnë vlerësimin e qeverisë pakistaneze se më shumë se një e treta e vendit – një zonë afërsisht sa madhësia e Britanisë së Madhe – është zhytur nga reshjet e musonit, që vlerësohet të kenë qenë 10 herë më të rënda se zakonisht.

“Lumi Indus është vërshuar, duke krijuar në mënyrë efektive një liqen të gjatë, dhjetëra kilometra të gjerë”, tha ESA në një deklaratë.

Deri më tani, përmbytjet kanë marrë më shumë se 1,100 jetë, duke përfshirë 399 fëmijë, kanë shkatërruar më shumë se një milion shtëpi dhe kanë dëmtuar të korrat, bagëtinë dhe infrastrukturën kryesore si rrugët dhe urat.

Maryam Imtiaz nga Care Pakistan tha se ishte e qartë se urgjenca "nuk ishte nën kontroll". "Situata në terren është absolutisht shkatërruese ... Ne kemi nevojë për aq shumë ndihmë sa mundemi," shtoi ajo.

Ndërkohë, punonjësit e ndihmës po luftojnë me sfida të mëdha logjistike për të arritur tek miliona njerëz në nevojë, veçanërisht në provincën juglindore Sindh, ku niveli i ujit mbetet i lartë. Edhe në zonat ku uji ka rënë pak, shpërndarja e ndihmave është e ndërlikuar nga rrugët e dëmtuara, linjat e ndërprera të energjisë dhe hekurudhat e bllokuara.

Në një vend që tashmë vuan nivele të larta të varfërisë dhe kequshqyerjes, shkatërrimi masiv i të korrave dhe blegtorisë është një shqetësim i veçantë që do të thotë një dimër i ashpër për miliona njerëz.

Qeveria pakistaneze ka thënë se dëmi nga përmbytjet mund të arrijë në rreth 10 miliardë dollarë dhe i ka kërkuar botës që të ndihmojë ndërsa lufton për të përballuar ndikimin e një krize klimatike.

Lajme të ngjashme