Ministri pakistanez: Së paku 10 miliardë dollarë dëme nga vërshimet
Ministri i Planifikimit i Afganistanit ka thënë se sipas vlerësimeve fillestare, vërshimet shkatërruese, që e goditën vendin e tij ditëve të fundit, kanë shkaktuar dëme në vlerën e të paktën 10 miliardë dollarëve.
Një ministër tjetër qeveritar tha se një e treta e shtetit të Azisë Jugore është vërshuar, raporton televizioni BBC.
Të hënën, Pakistani mori ndihmë prej 1.1 miliard dollarësh nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Me këto të holla synohet që të shmanget shkelja e afateve për larjen e borxheve të vendit.
Vërshimet e pashembullta, të shkaktuara nga reshjet historike, kanë shkaktuar të paktën 1.136 viktima dhe kanë prekur mbi 33 milionë njerëz, shifër që përbën mbi 15 për qind të popullsisë së Pakistanit.
Reshjet e dendura gjithashtu kanë shkatërruar rrugë, shtëpi, të mbjella, ura dhe pjesë të tjera të infrastrukturës.
“Mendoj se do të jetë diçka shumë e madhe. Deri më tani, një vlerësim i hershëm, preliminar është se kjo është e madhe, më e madhe se 10 milionë dollarë”, i tha agjencisë “Reuters” ministri i Planifikimit, Ahsan Iqbal.
Sipas tij, Pakistani do të ballafaqohet me mungesë serioze të ushqimit në javët dhe muajt e ardhshëm dhe beson se vërshimet e këtyre ditëve janë më të rënda se ato që kishin ndodhur më 2010, që ishin më vdekjeprurëset në histori të vendit me mbi 2.000 të vdekur.
Ministri u bëri thirrje vendeve më të pasura që ta ndihmojnë Pakistanin në mënyrë financiare, sepse tha që vendi i tij është viktimë e ndryshimeve klimatike, të cilat, sipas tij, janë shkaktuar nga “zhvillimi i papërgjegjshëm i botës së zhvilluar”.
Për ta adresuar mungesën e ushqimit, ministri i Financave, Miftah Ismail, tha se Pakistani mund ta shqyrtojë importimin e perimeve nga India.
Të hënën, ministra për Ndryshime Klimatike, Sherry Rehman, e përshkroi situatën si “fatkeqësi humanitare me përmasa epike, e nxitur nga klima”. “Në mënyrë të fjalëpërfjalshme, një e treta e Pakistanit është nën ujë tash, gjë që ka kaluar çdo kufi, çdo normë që kemi parë në të kaluarën”, tha ajo për agjencinë AFP.
Edhe para këtyre vërshimeve, Pakistani ishte duke vuajtur nga një krizë ekonomike dhe ishte në bisedime me Fondin Monetar Ndërkombëtar për një ndihmë.
Sipas shifrave zyrtare, të publikuara në javët e fundit, Pakistani ka rezerva të valutave të huaja për vetëm një muaj importim, pasi ekonomia po ballafaqohet me shkallë vjetore të inflacionit prej gati 25 për qind.
Në një deklaratë për ndihmën prej 1.1 miliard dollarësh, zëvendësdrejtoresha menaxhuese e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Antoinette Sayeh, tha: “Ekonomia e Pakistanit është goditur nga kushtet e jashtme armiqësore, për shkak të pasojave nga lufta në Ukrainë, dhe nga sfidat e brendshme, përfshirë ato nga politikat e shkallës së ulët të interesit, që kanë rezultuar në rritje të pabarabartë dhe të pabaraspeshuar.” Vërshimet nuk u përmendën fare në deklaratën e saj./Nacionale

