Nis gara për vaksinat kundër lisë së majmunëve, ekspertët shohin përsëritje të COVID
Zyrtarët shëndetësorë kanë paralajmëruar se lëvizjet e vendeve të pasura për të blerë sasi të mëdha të vaksinave kundër lisë së majmunëve, ndërkohë që refuzojnë të ndajnë doza për Afrikën, mund të lënë miliona njerëz të pambrojtur nga virusi.
Kritikët, me frikë kanë paralajmëruar një përsëritje të problemeve katastrofike të pabarazisë që janë parë edhe gjatë pandemisë së koronavirusit.
"Gabimet që pamë gjatë pandemisë COVID-19 tashmë po përsëriten," është shprehur Dr. Boghuma Kabisen Titanji, një asistent profesor i mjekësisë në Universitetin Emory.
Associated Press shkruan se, ndërsa vendet e pasura kanë urdhëruar blerjen e miliona vaksinave për të ndaluar linë e majmunëve brenda kufijve të tyre, asnjë nuk ka njoftuar plane për të ndarë dozat me Afrikën, e cila është në përballje me një formë më vdekjeprurëse të lisë së majmunëve sesa ajo që po përhapet në Perëndim.
Deri më tani, ka pasur më shumë se 22,000 raste të lisë së majmunëve të raportuara në gati 80 vende, me rreth 75 vdekje të dyshuara në Afrikë, kryesisht në Nigeri dhe Kongo. Ndërsa, të premten, Brazili dhe Spanja raportuan vdekje të lidhura me linë e majmunëve, të parat jashtë Afrikës.
Megjithatë, shkencëtarët thonë se, ndryshe nga fushatat për të ndaluar COVID-19, vaksinimet masive kundër lisë së majmunëve nuk do të jenë të nevojshme. Ata mendojnë se përdorimi i synuar i dozave të disponueshme, së bashku me masat e tjera, mund të ndalojnë epideminë në rritje që së fundmi u shpall si emergjencë globale shëndetësore nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Edhe pse lija e majmunëve është shumë më e vështirë për t'u përhapur sesa COVID-19, ekspertët paralajmërojnë se nëse sëmundja përhapet në popullatën e përgjithshme - aktualisht në Evropë dhe Amerikën e Veriut – ku pothuajse ekskluzivisht po qarkullon midis meshkujve homoseksualë dhe biseksualë - nevoja për vaksina mund të intensifikohet, veçanërisht nëse virusi rrënjoset në rajone të reja.
E duke thënë se përsëri po lihej pas, të enjten, Qendrat e Afrikës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve kërkuan që kontinentit t'i jepet prioritet për vaksinat.
"Nëse ne nuk jemi të sigurt, pjesa tjetër e botës nuk është e sigurt," është shprehur drejtori në detyrë i Afrikës CDC, Ahmed Ogwell.
Edhe pse lija e majmunëve ka qenë endemike në pjesë të Afrikës për dekada, ajo kryesisht transmetohet te njerëzit nga kafshët e egra të infektuara dhe zakonisht nuk është përhapur shumë larg përtej kontinentit.
Ndërkohë, OBSH është duke zhvilluar një mekanizëm për ndarjen e vaksinave për vendet e prekura, por nuk ka publikuar shumë detaje se si mund të funksionojë. Agjencia shëndetësore e OKB-së nuk ka dhënë asnjë garanci për prioritizimin e vendeve të varfra në Afrikë, duke thënë vetëm se vaksinat do të shpërndahen bazuar në nevojë epidemiologjike.
Për momentin, ekziston vetëm një prodhues i vaksinës më të avancuar të lisë së majmunit: kompania daneze Bavarian Nordic. Është njoftuar se kapaciteti i saj prodhues këtë vit është rreth 30 milionë doza, me rreth 16 milionë vaksina që janë tani të disponueshme.



