Çka është lija e majmunit? Shpjegon mikrobiologu
Më 18 maj 2022, zyrtarët shëndetësorë të Massachusetts dhe Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, konfirmuan një rast të vetëm të lisë së majmunit te një pacient që kishte udhëtuar së fundmi në Kanada. Raste janë raportuar edhe në Mbretërinë e Bashkuar dhe Evropë.
Lija e majmunit nuk është një sëmundje e re. Rasti i parë i konfirmuar ishte në vitin 1970, kur virusi u përhap të një fëmijë në Republikën Demokratike të Kongos (DRC).
Lija e majmunëve nuk ka gjasa të shkaktojë një pandemi tjetër, por me COVID-19 ende në mendje, frika nga një shpërthim tjetër i madh është e kuptueshme. Edhe pse e rrallë dhe zakonisht e lehtë, lija e majmunëve mund të shkaktojë sëmundje të rënda. Zyrtarët shëndetësorë janë të shqetësuar se do të shfaqen më shumë raste me rritjen e udhëtimeve.
Unë jam një studiues që kam punuar në laboratorët e shëndetit publik dhe mjekësor për më shumë se tre dekada, veçanërisht në fushën e sëmundjeve me origjinë shtazore. Çfarë saktësisht po ndodh në shpërthimin aktual dhe çfarë na tregon historia për linë e majmunëve?
Lija e majmunëve shkaktohet nga virusi i lisë së majmunit, i cili i përket një nëngrupi të viruseve të familjes Poxviridae të quajtur Orthopoxvirus. Ky nëngrup përfshin viruset e lisë, vaccinia dhe lisë së lopës. Teksa një grubull kafshësh për virusin e lisë së majmunit vazhdon të mbetet i panjohur, brejtësit afrikanë dyshohet se luajnë rol në transmetimin e tij.
Virusi i lisë së majmunit është izoluar vetëm dy herë nga një kafshë në natyrë. Testimi diagnostik për linë e majmunit është aktualisht i disponueshëm vetëm në laboratorët e Rrjetit të Përgjigjes Laboratorike në ShBA.
Emri "lija e majmunit" vjen nga rastet e para të dokumentuara të sëmundjes te kafshët në vitin 1958, kur ndodhën dy shpërthime te majmunët e mbajtur për kërkime. Megjithatë, virusi nuk u bart nga majmunët te njerëzit dhe majmunët nuk janë bartës kryesorë të sëmundjes.
Epidemiologjia
Që nga rasti i parë i raportuar të njeriu, lija e majmunëve është hasur edhe në disa vende të tjera të Afrikës Qendrore dhe Perëndimore, me shumicën e infeksioneve në DRC. Rastet jashtë Afrikës kanë qenë të lidhura me udhëtime ndërkombëtare ose kafshë të importuara, duke përfshirë në ShBA dhe gjetkë.
Rastet e para të raportuara të lisë së majmunëve në ShBA ishin në vitin 2003, nga një shpërthim në Teksas i lidhur me një dërgesë kafshësh nga Gana. Kishte gjithashtu raste të lidhura me udhëtimet në nëntor dhe korrik 2021 në Maryland.
Për shkak se lija e majmunëve është e lidhur ngushtë me linë, vaksina e lisë mund të sigurojë mbrojtje kundër infeksionit nga të dy viruset. Megjithatë, që kur lija u ‘çrrënjos’ zyrtarisht, vaksinimet rutinë të lisë për popullatën e përgjithshme të ShBA-së u ndërprenë në vitin 1972. Për shkak të kësaj, lija e majmunëve është shfaqur gjithnjë e më shumë te njerëzit e pavaksinuar.
Transmetimi
Virusi mund të transmetohet përmes kontaktit me një person të infektuar ose kafshë ose sipërfaqe të kontaminuara. Në mënyrë tipike, virusi hyn në trup përmes lëkurës së gërvishtur, thithjes ose mukozës së syve, hundës ose gojës.
Studiuesit besojnë se transmetimi nga njeriu te njeriu bëhet kryesisht përmes thithjes së pikave të mëdha të frymëmarrjes sesa kontaktit të drejtpërdrejtë me lëngjet trupore ose kontaktit indirekt përmes rrobave. Shkalla e transmetimit nga njeriu te njeriu për linë e majmunëve ka qenë e kufizuar.
Simptomat
Pasi virusi hyn në trup, ai fillon të riprodhohet dhe përhapet nëpër trup nëpërmjet qarkullimit të gjakut. Simptomat zakonisht nuk shfaqen deri në një deri në dy javë pas infektimit.
Lija e majmunëve prodhon lezione të lëkurës të ngjashme me linë, por simptomat janë zakonisht më të buta se ato të lisë. Simptomat e ngjashme me gripin janë të zakonshme fillimisht, duke filluar nga ethet dhe dhimbja e kokës deri te gulçimi.
Një deri në 10 ditë më vonë, një skuqje mund të shfaqet në gjymtyrë ose kokë, që përfundimisht shndërrohet në flluska të mbushura me qelb. Në përgjithësi, simptomat zakonisht zgjasin dy deri në katër javë, ndërsa lezionet e lëkurës zakonisht zgjerohen në 14 deri në 21 ditë.
Ndonëse lija e majmunëve është e rrallë dhe zakonisht jo fatale, një version i sëmundjes vret rreth 10% të njerëzve të infektuar. Forma e virusit që qarkullon aktualisht mendohet të jetë më e butë, me një shkallë vdekshmërie prej më pak se 1%.
Vaksinat dhe trajtimet
Trajtimi për lisë së majmunit është i fokusuar kryesisht në lehtësimin e simptomave. Sipas CDC, nuk ka trajtime të disponueshme për të kuruar infeksionin e lisë së majmunit.
Provat sugjerojnë se vaksina kundër lisë mund të ndihmojë në parandalimin e infeksioneve të lisë së majmunëve dhe në uljen e ashpërsisë së simptomave. Një vaksinë e njohur si Imvamune ose Imvanex është e licencuar në ShBA për të parandaluar linë e majmunëve dhe lisë.
Vaksinimi pas ekspozimit ndaj virusit mund të ndihmojë gjithashtu në uljen e gjasave për sëmundje të rënda. CDC aktualisht rekomandon vaksinimin e lisë vetëm për njerëzit që kanë qenë ose ka të ngjarë të jenë të ekspozuar ndaj lisë së majmunëve. Njerëzit me imunitet të kompromentuar janë në rrezik të lartë.