Spanja konfirmon vdekjen e parë nga lija e majmunëve në Evropë
Lija e majmunëve mund të transmetohet nga personi në person përmes kontaktit të ngushtë fizik, duke përfshirë marrëdhëniet seksuale.
Spanja ka raportuar vdekjen e parë në Evropë të lidhur me linë e majmunëve që nga shpërthimi i virusit. Ministria e Shëndetësisë së vendit e ka konfirmuar vdekjen të premten, duke mos dhënë detaje rreth viktimës.
Në raportin e saj të fundit, ministria spanjolle e Shëndetësisë ka bërë të ditur se deri më tani në vend janë konfirmuar 4,298 raste me virusin. E përveç Spanjës, vdekjen e parë nga lia e majmunëve e ka konfirmuar edhe Brazili, duke thënë se viktima ishte një burrë 41-vjeçar që vuante edhe limfoma dhe një sistem i dobët imunitar.
Kujtojmë se, në fillim të këtij muaji, kreu i Organizatës Botërore të Shëndetit ( OBSH) e shpalli shpërthimin e lisë së majmunëve një "urgjencë globale shëndetësore".
Dr Tedros Adhanom Ghebreyesus tha në një konferencë shtypi se ndërsa rreziku globalisht është "i moderuar", në Evropë ai është "i lartë".
Deklarata e OBSH-së është krijuar për të shkaktuar një përgjigje ndërkombëtare ndaj shpërthimit, e cila mund të zhbllokojë fondet dhe ndarjen e vaksinave.
Lija e majmunëve është shumë e vështirë të kapet nga dikush dhe transmetohet kryesisht nga kafshët e egra të infektuara në rajonin perëndimor të Afrikës qendrore.
Ky virus mund të transmetohet nga personi në person përmes kontaktit të ngushtë fizik, duke përfshirë marrëdhëniet seksuale.
Rastet e para të infeksioneve nga lija e majmunit u konfirmuan në Angli nga 6 maji i këtij viti.
Ndërsa, për të ngadalësuar përhapjen e infeksionit, OBSH ka këshilluar personat me orientim homoseksualë të kufizojnë numrin e partnerëve të tyre seksualë, duke shtuar se të rrezikuar nuk javë vetëm ata por çdo kush që është i ekspozuar.
Simptomat e virusit përfshijnë lezione gjenitale dhe plagë në gojë ose anus, ndërsa manifestohet me temperaturë të lartë, dhimbje koke, dhimbje shpine, gjendra të fryra, dridhje dhe rraskapitje.


