Nesër në Shtëpinë e Bardhë nënshkruhet paqja Armeni – Azerbajxhan, ShBA-ja siguron të drejta në korridorin strategjik
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, të premten do t’i presë në Shtëpinë e Bardhë udhëheqësit e Armenisë dhe Azerbajxhanit. Takimi do të kulmojë me nënshkrimin e një kornize të paqes që përfshin të drejta ekskluzive të ShBA-së për zhvillim në një korridor strategjik që kalon nëpër Kaukazin Jugor, i thanë zyrtarët agjencisë së lajmeve “Reuters”.
Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, dhe kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinyan, pritet t’i bashkohen Trumpit në Shtëpinë e Bardhë për bisedime dhe për ceremoninë e nënshkrimit, thanë zyrtarët amerikanë, duke folur në kushte anonimiteti.
Ata do të nënshkruajnë një kornizë me qëllim të arritjes së “shtegu konkret drejt paqes” dhe adresimit të një çështjeje transiti që për një kohë të gjatë ka qenë temë tensionesh, thanë zyrtarët.
Azerbajxhani ka kërkuar një korridor transporti nëpër Armeni, për ta lidhur pjesën kryesore të territorit me enklavën Nakhchivan, e cila kufizohet me Turqinë.
Sipas një pjese të negociuar me kujdes të dokumenteve që udhëheqësit do t’i nënshkruajnë të premten, Armenia planifikon që t’u japë Shteteve të Bashkuara të drejta ekskluzive e speciale për zhvillim për një periudhë të zgjatur mbi një korridor transit që do të emërtohet “Rruga Trump për Paqe dhe Mirëqenie Ndërkombëtare”, e njohur me shkurtesën TRIPP, thanë më tej zyrtarët.
Rruga do të operohet sipas ligjeve armene dhe Shtetet e Bashkuara do t’ia lëshojnë tokën me qira një konsorciumi për infrastrukturë dhe menaxhment, sipas zyrtarëve.
“Përmes mjeteve komerciale, ky hap do ta zhbllokojë rajonin dhe do të shmangë armiqësi të mëtejme” – tha njëri nga zyrtarët.
Udhëheqësit e Armenisë dhe Azerbajxhanit do të nënshkruajnë edhe dokumente me të cilat kërkohet shpërbërja e Grupit të Minskut, i cili është bashkudhëhequr nga Franca, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara që nga themelimi i tij më 1992 për të ndërmjetësuar në konflikt, thanë zyrtarët.
Progresi në çështjen mes Armenisë dhe Azerbajxhanit nisi në mars, kur emisari i posaçëm amerikan, Steve Witkoff, e vizitoi rajonin. Anëtarë të ekipit të tij realizuan edhe vizita të tjera atje më pas për ta ndihmuar ndërmjetësimin e marrëveshjes./Nacionale