Në varrezën masive në Izium të Ukrainës gjenden trupa me litar rreth qafës
Disa trupa me litar rreth qafës e me duar të lidhura janë gjetur në një varrezë masive në qytetin ukrainas, Izium, i cili është çliruar rishtazi nga forcat ukrainase, thanë reporterët e agjencisë “Reuters”.
Policia dhe ekspertët e forenzikës të Ukrainës po ofrojnë ndihmë për zhvarrosjen e trupave nga varret e bëra me shenjë me kryqe të drunjta, në qoshe të një varreze në veriperëndim të qytetit. Qeset e bardha me kufoma shihen mbi tokë.
Autoritetet ukrainase më herët raportuan për gjetjen e varrezës masive me rreth 440 trupa në Izium, qytet që ishte bastion i Rusisë në vijë të frontit deri në kundërsulmin e Ukrainës në rajonin Kharkiv gjatë javës së kaluar.
Në adresimin e mbrëmjes të enjten, presidenti ukrainas tha se “informata të qarta dhe të vërtetuara” do t’u paraqiten të premten gazetarëve ukrainas dhe të huaj.
“Ne duam që bota të dijë se çfarë është duke ndodhur në të vërtetë dhe se në çfarë ka çuar pushtimi rus. Buça, Mariupoli, tash, fatkeqësisht, Iziumi”, tha ai.
Andriy Yermak, shef i zyrës së presidentit të Ukrainës, publikoi një fotografi ku pretendohet se shihet varri masiv, duke thënë se më shumë informata për këtë priten të publikohen të premten.
Një pjesë e madhe e qytetit Izium është shndërruar në gërmadha. Një politikan lokal u ka thënë gazetarëve se deri në 80 për qind e infrastrukturës së qytetit është shkatërruar dhe se ka ende trupa të pagjetur nën rrënoja.
Iziumi dhe disa qytete të tjera të rajonit Kharkiv u çliruan këtë muaj gjatë një kundërsulmi të shpejtë të forcave ukrainase, që duket se e ka befasuar ushtrinë ruse dhe e ka zënë të papërgatitur për t’i mbrojtur pozicionet e veta.
Ukraina thotë se ka identifikuar më shumë se 21.000 krime të mundshme lufte – përfshirë vrasjen e civilëve dhe dhunimin seksual – të kryera nga forcat ruse që nga dhënia e urdhrit nga presidenti rus, Vladimir Putin, për ta nisur pushtimin më 24 shkurt./Nacionale
