Rrëfime tmerri nga Bucha: “Pashë një qen duke i ngrënë kokën një burri”
“Vokzalnaya”, rruga nga stacioni i trenit drejt qendrës së qytezës, është shembull tmerrues për atë se si Bucha është shndërruar në një simbol të zymtë të dhunës dhe brutalitetit të luftës në Ukrainë.
Independent
Tri të katërtat e kësaj rruge janë mbushur me mbetje të djegura të tankeve ruse, të shkatërruara nga raketat ukrainase. Secila shtëpi në të dyja anët e rrugës është dëmtuar, disa nga copat e mjeteve të blinduara, që kanë rënë në oborre ose kanë mbetur në mure.
Duket se forcat ruse i kanë vendosur në varre masive shumë prej të vrarëve. Varri më i madh masiv është prapa Kishës së Shën Andreut, ku vlerësohet se numri i personave të varrosur është nga 60 deri në 320 ose edhe më shumë.
Trupa ka edhe në shtëpi. Trupi i zonjës 89-vjeçare, Alla Minorava, u gjet në shtratin e saj me shenja gjaku në duar. Ajo vdiq më 25 mars. Ushtarët rusë, të cilët ishin futur në shtëpinë e saj, u thanë fqinjëve se e kanë qëlluar me armë.
“Nuk treguan pse e kanë qëlluar. Është vështirë të mendohet një arsye, ajo ishte grua e moshuar, zor se ishte rrezik për ta. Shumë vrasje këtu nuk kanë kuptim, ata vranë të moshuar të tjerë si ajo si dhe djem e vajza të reja”, thotë Sergei Malyk.
Sergei Simolenskiy, 50 vjeç, është i bindur se arsyeja e vetme që ai ka mbijetuar është tatuazhi i tij. “Më arrestuan disa herë. Një herë më lanë të qëndroj tri orë me duar për muri”, tha ai.
“Në fund, më vendosën një pushkë prapa kokës, e dëgjova kërcitjen e sigurisë dhe e dita se do të qëllonin. Më pas, ata e panë tatuazhin tim dhe kuptuan që kam qenë pjesë e marinës dhe më lanë të shkoj”, shtoi Simolenskiy.
Simolenskiy shërbeu në forcat sovjetike në fillimin e viteve të nëntëdhjeta dhe ishte dërguar në luftën në Gjeorgji. Tash, ai thotë se nuk ndien asgjë tjetër pos zemërimit ndaj trupave ruse në Ukrainë.
“Të gjithë e dimë se Putini është prapa kësaj katastrofe. Ushtarët rusë më thanë se po i ndjekin urdhrat, por ata janë ushtarë, e dinë se çfarë është krimi i luftës”, shtoi ai.
“Ata kanë bërë disa gjëra të tmerrshme. I kam parë duke arrestuar njerëz, duke i lidhur dhe duke i qëlluar në kokë. Sa kanë vrarë? Do të thosha rreth 600 ose 700. I lanë trupat në rrugë, një ditë pashë një qen duke ngrënë kokën e një burri. Ka shumë qen rrugëve, sepse pronarët e tyre i kanë lënë ose janë zhdukur. Disa nga këta qen janë bërë të egër, vrapojnë në grupe, i kanë sulmuar fëmijët”, tha ish-pjesëtari i marinës sovjetike.
Mjeku ligjor në Bucha, Serhiy Kaplinsky, thotë se ai dhe kolegët e tij kanë mbledhur rreth 100 trupa të pajetë deri më tani. Ai kishte varrosur rreth 60 trupa para se të largohej nga qyteti më 8 mars, pasi dëgjoi se rusët po i arrestonin zyrtarët lokalë. Ai raportoi se 15 njerëz kishin vdekur nga shkaqe natyrore, ndërsa pjesë tjetër e të vdekurve kishin lëndime nga copat e predhave ose ishin vrarë me armë zjarri, disa prej tyre nga afërsia.