Në Turqi, numri i të vdekurve nga tërmeti po rritet, ndërtuesit nën hetim për neglizhencë
Turqia do të zgjerojë hetimin e saj ndaj kontraktorëve të ndërtimit të dyshuar për shkelje të standardeve të sigurisë, tha Ministri i Brendshëm Suleyman Soylu, ndërsa vendi rrit përpjekjet për të siguruar strehim për viktimat e tërmeteve shkatërruese. Soylu tha se deri më tani janë identifikuar 564 të dyshuar, ndërsa zyrtarisht janë arrestuar 160 persona dhe shumë të tjerë janë nën hetim.
"Qytetet tona do të ndërtohen në vendet e duhura, fëmijët tanë do të jetojnë në qytete më të forta. Ne e dimë se çfarë lloj prove po përballemi dhe do të dalim më të fortë nga kjo," tha ai për televizionin shtetëror TRT Haber.
Erdogan premton një rindërtim të shpejtë
Presidenti Tajip Erdogan premtoi të rindërtojë shtëpitë brenda një viti. Zgjedhjet në Turqi do të mbahen pas katër muajsh. Edhe para tërmetit, sipas sondazheve, popullariteti i Erdoganit ishte më i ulët se në vitet e mëparshme, për shkak të rritjes së kostos së jetesës.
Në këtë drejtim, situata mund të përkeqësohet për shkak se tërmetet katastrofike prishën prodhimin bujqësor. Soylu tha se janë ngritur rreth 313,000 tenda, ndërsa në zonën e tërmetit do të vendosen 100,000 kontejnerë banimi.
Numri i të vdekurve në Turqi nga tërmetet shkatërruese të këtij muaji është rritur në 43,556. Pas tërmetit të parë të 6 shkurtit, pati 7,930 pasgoditje dhe më shumë se 600,000 apartamente dhe 150,000 ambiente biznesi pësuan dëme të paktën mesatare.
Ministri i Urbanizimit Murat Kurum tha se 164,000 ndërtesa me më shumë se 530,000 apartamente u shkatërruan ose u dëmtuan rëndë. Qeveria ka nisur tashmë procesin e lidhjes së kontratave për ndërtimin e apartamenteve të reja në zonën e prekur.
Pothuajse një milion njerëz jetojnë në tenda
Turqia ka nisur një skemë të përkohshme të mbështetjes shtetërore për pagat e punëtorëve, ndërsa ndalon pushimet nga puna në dhjetë qytete për të mbrojtur punëtorët dhe kompanitë nga pasojat financiare nga tërmetet e forta që goditën jugun e vendit. Rreth 865.000 persona jetojnë në tenda dhe 23.500 në kontejnerë, ndërsa 376.000 jetojnë në konvikte dhe bujtina jashtë zonës së prekur nga tërmetet. /Nacionale/